Vendosni fjalën kyçe....

Mali i Zi deklaron fundin e pandemisë së koronavirusit


Mali i Zi ka shpallur fundin e epidemisë së koronavirusit, me rekomandim të Institutit për Shëndetin Publik.

Lajmi u dha përmes një postimi në Twitter, ku thuhet se do të anulohen të gjitha masat e vendosura kundra koronavirusit.

“Ky është rezultat i përpjekjeve disamujore nga të gjithë”, thotë qeveria malazeze.

Mali i Zi ishte vendi i fundit në Evropë që shpalli shpërthimin e epidemisë në vend më 26 mars. Ky vendim vjen pasi pacienti i fundit u shërua në 24 maj, ndërsa kanë kaluar 28 ditë pa asnjë rast të ri me koronavirus.

Para Malit të Zi, ishte Sllovenia që deklaroi përfundimin zyrtar të epidemisë më 15 maj.

Shefja e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Mal të Zi, Mina Brajoviç, e vlerësoi suksesin e këtij vendi në luftën kundër koronavirusit, por tha se autoritetet duhet të jenë të kujdesshme, sepse bota është ende në fazën e pandemisë.

“Duhet ta kemi në mendje faktin se virusi është ende pranë nesh. Duhet ta kemi parasysh se të dhënat nga sistemi mbikëqyrës i OBSH-së tregojnë se një numër i madh i rasteve të pazbuluara të të infektuarve ekzistojnë akoma. Kjo është arsyeja përse një nga rekomandimet kryesore të OBSH-së për autoritetet, është të vazhdohet në mënyrë agresive dhe energjike me zbulimin, testimin dhe monitorimin e kontakteve”, tha Brajoviç për Radion Evropa e Lirë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *