Vendosni fjalën kyçe....

Jo teatrin, keni shembur vetveten


Blog Autor: Ela Wamsler

“Jo teatrin, keni shembur vetveten“ shkruante një parullë në protestën e mbajtur dje në Prishtinë.

Teatri Kombëtar u shemb me gjithë protestat, pankartat, thirrjet, apelin mediatik, shkrimet, intervistat e njerëzve të fushës së artit, qytetarëve të thjeshtë, intelektualëve apo tiranasve në mbrojtje të monumentit, që ishte pjesë historike e kryeqytetit.

Ishte dhe s’është më.

Një copëz Tiranë, një copëz Shqipërie. Teatri i vjetër, i lodhur nga vitet dhe historia që mbartte mbi supe, ishte gjithsesi i dashur për mijëra protestues dhe për qindra mijëra që kanë parë shfaqje aty ndër vite.

I ftohtë në dimër, i parehatshëm, por kaq i bukur në brendi. Magjinë ia shtonte skena dhe zërat e atyre që interpretuan në të. Zëra që dje dhanë grahmat e fundit. Kur ndërtesa dha shpirt, bashkë me të dhanë lamtumirën edhe kujtimet në përfytyrimin tonë.

Copëzat e skenave të luajtura nga aktorët, bisedat me regjisorët dhe të tjerë nga stafi i realizimit, buzëqeshja mikpritëse e grave të sportelit dhe ato në sallë, që të ndihmonin me gjetjen e vendit të biletës, audio në sfond që na kujtonte të fiknim celularët, pastaj perdja që hapej, llozha që të jepte një pamje si në pëllëmbë të dorës, me prozhektorët po aty, në cep që ndriçonin skenën e vogël, por të bukur, dyert anësore drejt daljes, oborri përpara teatrit dhe bisedat pas shfaqjes, holli i teatrit mbushur me foto nga shfaqjet ndër vite…

Ishte një teatër që mbolli në zemrat tona dashurinë për artin skenik, teatri ynë i parë kombëtar. Modest, por i qëndrueshëm në kohë, në tërmete dhe në basardimet që iu bënë në vite… edhe atëherë kur u ndërtua një bilardo e lloto sporti në katin e parë në hyrje të teatrit, një turp që i detyroi të tërhiqen drejtuesit e dikurshëm.

Teatri kishte degraduar, sepse nuk u investua. Artistët e teatrit (dhe kinemasë) po vdisnin një e nga një dhe askush nuk u kujtua që të investohej në skenën e vjetër qoftë edhe për kujtimin e tyre. Gjithçka që përfshihej në fonde shkonte për shfaqjet, posterat, marketingun minimal në televizione.

Po ndërtesa?

“Është e vjetër, nuk ia vlen“ mendonin drejtuesit njëri pas tjetrit. Ai u vjetërua edhe më shumë nga neglizhenca, sikurse një grua e bukur që lihet pas dore dhe shfaq rrudhat e plakjes një e nga një…

Situata të njëjta, standarde të ndryshme

Edhe godina e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kishte degraduar, po u vendos të bëhej rikonstruksion i saj. Edhe Muzeu Historik Kombëtar është godinë e vjetër, por ka vlera si fasada (komuniste, siç e quajnë lart) ashtu edhe brendia.

Edhe Biblioteka Kombëtare që është lënë pas dore pa një investim të rëndësishëm, vetëm me arnime të pjesshme bërë ndër vite, shpesh për show dhe jo për respekt ndaj krijimtarisë që ruhet në ato rafte.

Edhe Akademia e Arteve është e vjetër sa s’ka më, por nuk është investuar. Vazhdon të ketë një sallë të vjetër, ku karriget janë të shqyera, por prapë ka publik, sepse arti ka nevojë për skenë. Do ta shembin Akademinë, Muzeun, Bibliotekën, ngaqë janë të vjetra?

Ku ndalet fadroma, mund ta thojë njeri? Nëse pushteti shpik ligje për të përligjur veprimet e veta antiligjore dhe injoron zërat kundër me kokëfortësi, atëherë një rast siç ishte teatri mund të bëhet precedent për raste të tjera, në godinat e gjithë bulevardit, që përbëjnë korpusin e godinave të arkitekturës italiane dhe që konturon kaq bukur qendrën e kryeqytetit tonë. Sepse kjo është, në fakt, pjesa më e bukur e Tiranës.

E vërteta është se ne si popull e respektojmë pak artin. Disa e duan me shpirt dhe sakrifikojnë për të, por masa e popullsisë e sheh çdo çështje të lidhur me artin si çështje qejfi. “E mo, se art është” është shprehja që tregon mentalitet mediokër dhe banal në çdo nivel, si poshtë në popull edhe lart në vendimmarrje.

Nuk është vetëm art, është edukim, është kulturë, është ndriçim. Pa art, do thaheshim shpirtërisht. Pa artistët, jeta do të ishte pa ngjyra. Mbi të gjitha, godinat e artit nuk janë thjesht mure, ngrehina apo si të doni quajini.

Ato janë struktura dhe arkitektura të një dore arkitekti, të një inxhinjeri dhe grupi teknikësh, janë rezultat i një pune intelektuale dhe të lodhshme, përpos përgjegjësisë që garanton ndërtuesi me firmën e tij në projekt.

Ndaj të zhvlerësosh punën e dikujt, duke e hedhur poshtë kaq lehtësisht, të shembësh dhe ndryshosh godina pa respektuar linjën e fasadës së qendrës së një kryeqyteti, është vetëm njëra nga dy gjërat: ligësi ose injorancë.

Pak historik

Sipas Wikipedia, ndërtesa e teatrit është një godinë futuriste e realizuar nga inxhinieri dhe arkitekti italian Giulio Berté, projekt i vitit 1939. U porosit nga Mbretëria Shqiptare në bazë të marrëveshjes italo-shqiptare të janarit të 1938, në kuadër të planit rregullues të qendrës së Tiranës.

Aty u vendos rrethi italo- shqiptar “Scanderbeg”, si qendër kulturore, artistike, sportive dhe argëtuese, e ndërtuar nga firma “Pater”. Sipërfaqja tokës së dhënë për projektin e teatrit përfshinte 13 mijë m2, prej të cilave 7 mijë m2 mbulohen nga godina brenda së cilës ishte biblioteka, zyra e informacionit, zyra e përkthimit letrar, etj.

Funksionet kulturore dhe sportive godina vazhdoi t’i ushtronte për disa kohë. Pas kapitullimit italian, ndërtesa ndërroi emër dhe u quajt Kinema “Kosova”. Në vitin 1945 iu bë edhe ndryshimi i fundit, duke u shndërruar në Teatër Popullor, më pas Kombëtar.

Aktorët e parë të Teatrit profesionist ishin Mihal Popi, Gjon Karma, Mihal Stefa, Ndrek Shkjezi, Liza Vorfi, Behije Çela, Ndoc Meshkalla, Hasan Reçi. Me vonë erdhën nga lëvizja amatore emra shumë të njohur, si Marie Logoreci, Prokop Mima, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Besa Imami, Violeta Manushi, Pandi Stillu.

Shfaqja e parë në skenë është realizuar në vitin 1945 nga regjisori Sokrat Mio. Në këtë skenë janë luajtur kryeveprat botërore nga regjisorët më të mirë të historisë së artit në Shqipëri, nga aktorët më në zë, disa prej të cilëve nuk jetojnë më, por janë gdhendur në memorien kolektive si pjesë e kësaj ndërtese.

Shkatërrimi si deja-vu

Një kujtesë normale e fakteve na kthen pas në kohën kur disa objekte dhe mjedise publike janë bërë pre e ndryshimeve të qeverisjeve apo e përplasjeve mes qeverisjes qendrore dhe asaj lokale.

Që nga Sheshi Skënderbej që disa vite më parë mori një formw qesharake kur u restaurua pjesërisht, rrethrrotullimi i Zogut të Zi njëherë me mbikalim e pastaj u shkatërrua dhe u bë rrethrrotullim, statuja e Nënë Terezës që shëtiste midis Korpusit Universitar dhe Aeroportit Nën Tereza, kompleksi i Kolonave përballë Akademisë së Arteve që njëherë u bë pjesë e lokaleve masive, pastaj pjesë e një parkingu publik, e së fundmi Stadiumi, i cili u rindërtua duke humbur shumë nga vlerat e tij, jo vetëm pistën me standarde olimpike, por edhe arkitekturën me shkallë nga jashtë etj…

Shumëçka kemi në kryeqytet sot ka kaluar nëpër ndryshime që s’kanë respektuar origjinalin në strukturë dhe vetë historinë e tyre. Por nuk është çështja që mjediset dhe objektet publike janë shndërruar në sheshe betejash të pseudo- gladiatorëve të pushtetit, problemi qëndron edhe tek fondet (madje qëllimi janë vetëm fondet!).

Sa herë bëhen dhe zhbëhen investimet, humbasin mijëra euro para publike, që vijnë nga buxheti i shtetit apo borxhet e jashtme, që po të investoheshin me kujdes do kishin zënë kushedi sa “vrima” mangësish në sistemin e shëndetësisë, arsimit etj. Sepse për të qenë një vend kaq i vogël, jemi vërtetë shumë të komplikuar kur vjen puna tek menaxhimi i duhur i parave.

Po kur vjen çështja tek arti, gjërat bëhen më delikate vetvetiu. Aty janë të ndërthurura ndjenjat kolektive, nuk është më thjesht një çështje tenderash. Çdo gjë që ka lidhje me artin ka nevojë për dashuri dhe kujdes që të rezistojë në kohë.

Ndaj askush nuk na garanton që teatri i ri që do të ndërtohet do të jetë më i sigurt, më i mirë, më i qëndrueshëm në kohë. Mbase një qeveri tjetër do të vijë me mendime të reja, për ta shembur atë dhe për të ndërtuar një tjetër, edhe më modern, mundësisht me dy qendra tregtare në të, jo vetëm një.

E po të vazhdohej kështu, butaforia do të ishte fatale. Ata po fshijnë memorien për hatër të fitimeve, po shkelin çdo normë, të shkruar dhe jo të shkruar, pra morale, në emër të fitimit. Edhe sa kohë do të lejojmë të nëpërkëmbet arti dhe historia?

Mos vallë duhet të shembim Mangalemin dhe Goricën, se janë me shtëpi shumë të vjetra apo Gjirokastrën, sepse teknologjia e ndërtimit ofron sot materiale më të mira se guri që ato kanë në çati?!

Jo çdo fasadë prej xhami dhe betoni, sado e bukur të jetë, është më mirë se godina që ajo zëvendëson. Kryeqytetet e botës perëndimore, tek e cila aspirojmë të shkojmë, si Roma, Parisi e Berlini, kanë akoma godina mesjetare apo edhe me dëmtime nga luftërat, që janë ruajtur posaçërisht si pjesë e memories kolektive. Mos vallë s’kanë fonde shtetet t’i restaurojnë apo rindërtojnë ato?…


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *