Vendosni fjalën kyçe....

Yuri Kim: Qeverisë duhet t‘i kërkojnë llogari qytetarët shqiptarë, s‘është detyrë e ambasadës


Ambasadorja amerikane në Tiranë, Kim, ka deklaruar se është detyrë e popullit shqiptar që t’i kërkojë llogari qeverisë lidhur me qeverisjen dhe jo e ambasadës.

Kim ishte e ftuar në emisionin Ilva Now në Euronews Albania ku tha ndër të tjera se si përfaqësuese e SHBA-ve është e përagatitur të përgjigjet për dollarët e shpenzuar të taksapaguesve amerikane dhe të njëjtën pritshmëri duhet të kenë edhe qytetarët shqiptarë nga qeveria e tyre.

“Për sa i përket llogaridhënies, mendoj se ajo qëndron në zemër të një demokracie dhe sundimit të ligjit dhe keni të drejtë që përqendroheni tek ajo. Nuk është detyrë e Ambasadës së SHBA apo Qeverisë së SHBA që t’ia kërkojë këtë qeverisë shqiptare. Është diçka që duhet ta kërkojë populli shqiptar. Për mua, si përfaqësuese e Qeverisë së SHBA këtu në ambasadë, në çdo çast jam e përgatitur të përgjigjem se si i shpenzojmë dollarët e taksapaguesve amerikanë në ambasadë dhe mendoj se populli shqiptar duhet të ketë të njëjtën pritshmëri nga qeveria e vet. Duhet të kërkoni përgjigje, duhet të bëni pyetje dhe duhet të ushtroni presion.”­ – tha Kim.

Ajo foli edhe për pandeminë Covid-19 dhe masat e marra nga qeveria shqiptare duke i vlerësuar ato por edhe sjelljen e qytetarëve shqiptarë që sipas saj dhanë ndihmën e tyre për mbajtjen nën kontroll të pandemisë.

“Mendoj se rezultatet flasin vetë për sa i përket mënyrës se si qeveria e ka trajtuar çështjen e koronavirusit. Do të thosha se qeverisë i takon meritë, por iu takon edhe të tjerëve, përfshi qytetarët shqiptarë. Sepse nuk do të kishte ndodhur nëse shumica dërrmuese e njerëzve nuk do t’iu ishin përmbajtur masave shumë shtrënguese. Prandaj, si rezultat i kontributit të secilit, niveli i infektimeve dhe numri i vdekjeve u mbajt në nivel mjaft të ulët.” – shtoi Kim.