Vendosni fjalën kyçe....

Kapen dy shtetas marokenë në Tiranë, akuzohen për disa vjedhje


Foto ilustruese

Dy shtetas marokenë janë vënë në pranga në Tiranë pasi akuzohen për disa vjedhje të kryera në zonën e Ali Demit dhe Rrugën e Barrikadave.

Në pranga kanë rënë 23-vjeçari me iniciale N.B. dhe 30-vjeçari me iniciale H.A.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tyre policia ka gjetur një shumë parash, bizhuteri, ora dore, celularë etj.

Njoftimi

Finalizohet operacioni policor “Befasia”.

Vihen në pranga dy shtetas marokenë të dyshuar për një sërë vjedhjesh të kryera në zonën e Ali Demit dhe te Rruga e  Barrikadave.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale sendet e vjedhura dhe një sasi parash.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen e vënien para drejtësisë të autorëve, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për dy shtetas të dyshuar si autorë të disa vjedhje telefonash dhe bizhuterish të ndodhura në zonën e Ali Demit dhe te Rruga e Barrikadave, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “BEFASIA“.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i dy shtetasve marokenë: N. B., 23 vjeç dhe H. A., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas i kanë vjedhur me dhunë sendet personale shtetasit sirian M. H., 30 vjeç.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas janë dhe autorë të disa vjedhjeve të tjera të telefonave dhe bizhuterive të ndodhura më parë në zonën e Ali Demit dhe në Rrugën e Barrikadave.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik të këtyre shtetasve dhe të banesës së tyre, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë  provës materiale një shumë parash, bizhuteri, ora dore, aparate celular dhe sende të tjera. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e vjedhura dhe një shumë parash.

Materialet do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim.”