Vendosni fjalën kyçe....

BSH ndërton skenarët e ndikimit të Covid në ekonomi, 4 kushtet për daljen nga kriza


Me kalimin e rrezikut të pandemisë dhe zbutjen e masave të distancimit social, aktiviteti ekonomik pritet të fillojë rikuperimin.

Pas tkurrjes në vitin 2020, aktiviteti ekonomik pritet të ndjekë një trajektore rritëse në vitet në vijim, analizon Banka e Shqipërisë në raportin e Politikës Monetare për tre mujorin e dytë 2020.

Banka analizon se, në një skenar optimist, masat kufizuese hiqen brenda tremujorit të dytë. Në këtë skenar, rikuperimi i ekonomisë do të jetë relativisht i shpejtë, duke mundësuar rritje ekonomike pozitive në vitin 2021 dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor dyvjeçar.  Ky skenar nuk kërkon ndryshime të ndjeshme nga kursi aktual i politikave ekonomike.

Në skenarë më negativë, kufizimet do të zgjasin në kohë dhe rikuperimi ekonomik do të vonohet dhe ngadalësohet. Në këta skenarë, rënia e aktivitetit ekonomik, e punësimit dhe e të ardhurave, do të ishte më e thellë, duke kërkuar një stimul më të madh fiskal dhe monetar.

Banka u shpreh se shpejtësia e rikuperimit të ekonomisë do të kushtëzohet nga shkalla e plotësimit të disa parakushteve.

− Së pari, ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit. Ekonomia shqiptare hyri në këtë krizë me bilance të shëndosha të sektorit bankar, situatë të përmirësuar likuiditeti të bizneseve dhe familjeve, si dhe tregues në përmirësim të qëndrueshmërisë së borxhit publik dhe të borxhit të huaj. Banka e Shqipërisë gjykon se situata relativisht e shëndoshë financiare e vendit para goditjes, si dhe ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar gjatë saj, do të mundësojnë një rikuperim të shpejtë në periudhën vijuese.

− Së dyti, kufizimi i dëmit në bizneset dhe sektorët e prekur, si dhe në potencialin prodhues të vendit. Në këtë aspekt, rëndësi jetike ka ruajtja e situatës likuide të bizneseve, si nëpërmjet mbështetjes fiskale ashtu dhe nëpërmjet kredisë bankare. Në gjykimin tonë, biznesi shqiptar ka hapësira për përballimin e një goditjeje të kufizuar në kohë, nëpërmjet rritjes së fleksibilitetit të proceseve prodhuese, nëpërmjet kontrollit të kostove, si dhe nëpërmjet një ndarjeje sa më të drejtë të kostove të goditjes në zinxhirin prodhues e tregtues.

− Së treti, ruajtja e stabilitetit të sektorit bankar dhe e aftësisë së tij për furnizimin e ekonomisë me instrumente pagese dhe kredie. Sistemi bankar dhe financiar kanë një rol kritik për financimin e sektorit privat dhe publik, si dhe për transmetimin e politikës monetare në ekonomi. Në gjykimin tonë, sistemi bankar është solid, me parametra të shëndetshëm likuiditeti, kapitalizmi dhe përfitueshmërie. Bankat gëzojnë një pozicion solid për të kryer funksionin e tyre si ruajtëse të kursimeve të shqiptarëve dhe si ndërmjetëse fondesh.

− Së katërti, rikuperimi i shpejtë i aktivitetit ekonomik botëror. Rritja e kërkesës së huaj për mallra e shërbime shqiptare ka një rol vendimtar për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, origjina e njëjtë e goditjes në Shqipëri dhe në partnerët tanë tregtarë nënkupton që dhe dalja prej saj do të jetë relativisht e sinkronizuar.

Rikuperimi i kërkesës agregate pritet të shoqërohet me rritjen e punësimit, përthithjen e kapaciteteve të lira në ekonomi dhe rritjen e inflacionit. Shpejtësia e kthimit të inflacionit në objektiv do të varet nga forca e rikuperimit të ekonomisë. Megjithatë, pasiguria për zhvillimet ekonomike në të ardhmen është shumë e lartë dhe rreziqe të kahut të poshtëm mbeten dominuese.

Banka e Shqipërisë njoftoi do të monitorojë me kujdes implikimet e përhapjes së pandemisë në ekonomi dhe në transmetimin e politikës monetare, si dhe do të analizojë efektivitetin e masave të saj. Ajo është e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet në dispozicion për të zbutur efektet e kësaj krize në ekonomi.

VINI RE: Ky  material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *