Zv.presidenti dhe një nga inxhinierët më të mirë në shërbimet në rrjet të Amazon, Tim Bray, ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste për pushimin e disa punonjësve, kryesisht nga pakicat, të cilët u ankuan për kushtet në depot e kompanisë gjatë pandemisë Covid-19.
“Unë dorëhiqem në shenjë proteste me shkarkimin e disa punonjësve në Amazon, të cilët u ankuan lidhur me kushtet në depot e kompanisë, duke u rrezikuar nga Covid-19,” shkruajti Bray në një letër të hapur të titulluar “Lamtumirë, Amazon”, të cilën ai e postoi në blogun e tij personal. Dita e tij e fundit në kompani ishte 1 maji.
Bray pranoi se të punonte me Amazon ishte ‘puna më e mirë” që ai kishte pasur ndonjëherë dhe tha se ai ka të ngjarë të humbasë mbi 1 milion dollarë të ardhura duke lënë pozitën e tij, por ai nuk mbante dot të njëjtin qëndrim me kompaninë lidhur me shkarkimin e punonjësve që u ankuan.
“Arsyetimet e kompanisë ishin qesharake. Ishte e qartë për çdo vëzhgues të arsyeshëm se ata u shkarkuan për shkak të ankesave që bënë.” – shkroi Bray për punonjësit e shkarkuar, duke përmendur se shkarkimet ishin përqendruar te punonjësit e pakicave.
“Jam i sigurt se është rastësi që secili prej të shkarkuarve është një person me ngjyrë, një grua, ose të dyja rastet.” – ironizoi ai.
Amazon ende nuk ka komentuar publikisht ndaj akuzave të Bray-t.