Vendosni fjalën kyçe....

Vonesat në drejtësi sjellin padrejtësi


Nga Erina Caka

Përballja me pandeminë Covid-19 ka vendosur njerëzimin, shtetet, institucionet shtetërore, raportet njerëzore, në sfida të reja për t’u zgjidhur në të ardhmen. Teksa sheh analiza të ndryshme të efekteve të saj, kryesisht shqetësime të natyrës ekonomike, të marrëdhënieve ndërkombëtare etj, jo pa rëndësi janë dhe ndikimet e pasojave të masave të Covid-19, dhe në sistemin e së drejtës apo dhe në pushtetin delikat në vendin tonë, sic është ai Gjyqësor. Konkretisht, vendimmarrja e fundit e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për rinisjen e aktivitetit gjyqësor, të sjell reflektime se si do të jetë situata më pas.

Si në çdo sferë tjetër, janë marrë masa të cilat kanë prekur zhvillimin e proceseve gjyqësore në Shqipëri, në kuadër të nevojës emergjente të ruajtjes së distancimit social. Nga pikëpamja juridike, teksa njihesh me aktet normative, vendimmarrjet e organeve përgjegjëse, shpesh ndodh të ngrihen dyshime mbi ligjshmërinë e tyre, dhe mbi pasojat e pezullimit të këtyre aktiviteteve, kur e gjithë kjo gjendje të jetë “shkrirë” totalisht.

Parimi i përgjithshëm “Drejtësi e vonuar, është drejtësi e munguar”, duket si kurrë më parë se do të vihet “në lojë” në përballimin e kësaj situate. Sistemi ynë gjyqësorë ka kaluar një sërë sfidash të rendësishme, të domosdoshme për nevojën që kishte për reformimin e tij, dhe kjo e fundit me të cilën po përballet, do të vendosë më në pah problematikat, dhe do të shtojë vështirësitë e veprimtarisë së tij. Pezullimi i aktivitetit gjyqësor, shtron për diskutim efektet e këtij pezullimi, nga pikëpamja kushtetuese,  e të drejtës proceduriale, materiale etj.

Ky pezullim, është një fakt i cili nuk ka prekur vetëm vendin tonë, por një pjesë të madhe të shteteve të prekura nga kjo pandemi, madje dhe vetë Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut e cila, në komunikimin nëpërmjet kancelarisë së saj, më datë 16.03.2020 vendosi pezullimin e aktivitetit të kësaj Gjykate, me përjashtim të rasteve që paraqesin ngutshmëri në gjykimin e tyre.

Nga pikëpamja kushtetuese, debatet kryesore janë vendosur në raportet Autoritet vs Liri apo Liri dhe të drejta themelore vs Interesi i përgjithshëm,  Në aktet e ndërmarra, me “veshjen” e domosdoshmërisë së mbrojtjes së interesave të përgjithshme, është kërkuar limitimi I disa të drejtave dhe lirive themelore në funksion të nevojës emergjente të ruajtjes së distancimit social. Shqetësimet e masave të marra në kushtet e emergjencave, janë situatat në të cilat ndodhin dhe abuzimet më të mëdha më pushtetin, pasi i jepet një ”veshje e përkohshme ligjore” duke e shoqëruar në këtë mënyrë me justifikimin e momentit, dhe urgjencën e tyre. Ky shqetësim është pasqyruar dhe në një opinion të bërë publik dhe nga Komisioni I Venecias. Në përmbajtje të raportit të paraqitur prej tij, ai rendit një sërë të drejtash themelore të cilat janë më sensitive në situata të tilla siç janë :  parimi i ligjshmërisë, ndarja e kompetencave, ndarja e pushteteve, të drejtat e njeriut, monopoli shtetëror i forcës, administrimi publik dhe i pavarur i drejtësisë, mbrojtja e privatësisë, e drejta e votës, liria e aksesit politik në pushtet, pjesëmarrje demokratike dhe mbikëqyrje në vendimmarrjen publike, transparencë e qeverisjes, liria e shprehjes, grumbullimi dhe mbledhja, të drejtat e pakicave, si dhe marrëdhëniet ndërkombëtare sundimi i mazhorancës në vendimmarrjen politike”.

Parimet e rëndësishme të ligjshmërisë, i një procesi të rregullt ligjor dhe i gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, janë reflektuar në të drejtën proceduriale, materiale, apo dhe në ndryshimet e fundit ligjore të bëra në legjislacionin tonë, kryesisht në Ligjin 49/2012 “Për Gjykatat Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” apo dhe në Kodin e Procedurës Civile. Në reformimet e viteve të fundit të sistemit tonë ligjor, shihet qëllimi i legjislatorit për të bërë ndryshime të cilat do të sillnin reduktimin e panevojshëm të zvarritjes së proceseve gjyqësore. Tentativë e cila, me këtë problematikë të re, mund ta kthejë gjendjen nga e para. Kështu, përveç debateve kushtetuese, të ngrihen dyshime mbi aktivitetin e proceseve gjyqësore në vijim.

Në proceset gjyqësore, ndër elementet më të rëndësishëm është Koha. Ky i fundit ka rëndësi thelbësore sa i përket llogaritjes së afateve të ndryshme proceduriale, momentit të lindjes apo shuarjes të të drejtave apo detyrimeve, kohëzgjatja e përmbushjes ose jo të të drejtave dhe detyrimeve e të tjera si këto. Momenti në të cilin ndodhemi ka ndaluar së ecuri këtë faktor të rëndësishëm, dhe po hasemi për hërë të parë me këtë ngrirje absolute juridike.

Kështu,  pezullimi i aktiviteteve gjyqësore për 2 muaj e më shumë, mund të rrezikojë interesat direkt të shtetasve. Për raste specifike, mund të ndodhe që ecja e kohës de facto, dhe “ngrirja juridike”, të sjellë pamundësinë për të kërkuar zgjidhjen e çështjeve nëpërmjet gjykatave, dhe palët mund të humbasin mundësinë e përmbushjes direkt të interesave të tyre. Kjo pasi pamundësia për të realizuar të  drejtën apo kërkimin e  tyre, dhe ushtrimi i kësaj të drejte në një moment të dytë, mund të shkaktojë humbje të interesit ligjor. Sigurisht, shumë mund të thonë se ka mekanizma të tjerë ligjorë që mund të tutelojnë interesat e palëve, si psh shpërblimi i dëmit të shkaktuar, por jo gjithmonë marrja e drejtë e një shpërblimi pasqyron apo përmbush interesin e palës. Problematika si mospërmbushja e detyrimeve kontraktore, jo gjithmonë merr ekuivalencë me shpërblimin e dëmit.

Mbi ngarkesa e mbartur e çështjeve gjyqësore, do t’i shtohen njëherazi dhe ato të “grumbulluara” gjatë kësaj kohe,  gjë e cila nuk mund të zgjidhet vetëm me direktiva për vendimmarrje autonome të secilës Gjykatë, sipas gjykimit të tyre. Situata e re në të cilën ndodhemi, në disa sfera po zgjidhet nëpërmjet teknologjisë, dhe shërbimeve inovative të saj, gjë e cila ka pasur dhe sukses, për të mos penguar vijimin normal të aktivitetit. Një zgjidhje e tillë, ku të “kërkohet” ndihma e teknologjisë është e vështirë të përdoret dhe të reflektohet në proceset gjyqësore. Kjo pasi një pjesë e çështjeve kanë të rëndësishëm raportin personal (ntuitus personae), ruajtjen e komunikimeve me avokatin, apo dhe vetë raportin me Gjykatën, mungesa e të cilave do të cenonte thellë procesin në vetvete.

Nëse shtetet e tjera e kanë të konsoliduar sistemin e drejtësisë, infrastrukturën e tij, apo dhe përfshirjen e teknologjisë në të, vendi ynë është ende larg parametrave të tyre. Problematika e kësaj situate emergjente, në sistemin e drejtësisë lidhet me rikthimin në normalitet të aktivitetit juridik dhe gjyqësor dhe përdorimin e mjetet të domosdoshme që mund ta ndihmojnë.

Së pari Institucionet shtetërore dhe ato gjyqësore, mund të përafrojnë zgjidhje me ato që do të aplikojnë vende të tjera.

Së dyti, duke hedhur një vështrim mbi gjendjen e sistemit tonë gjyqësor, vakuumet e krijuara në Gjykatat shqiptare nga procesi i Vetting, mbingarkesa e gjykimeve, zgjidhet duhet të jenë dhe specifike mbi mënyrë e administrimit të gjendjes së mëpasshme.

Instituti që do të ndihmonte do të ishte ai i ndërmjetësimit, i cili në vazhdën e mosmarrëveshjeve të krijuara gjatë kësaj periudhe, do të ndihmonte në uljen e numrit të çështjeve të cilat adresojnë zgjidhjet e tyre në Gjykatë. Nxitja nga ana e autoriteteve përgjegjëse të kulturës së zgjidhjes së mosmarrëveshjeve nëpërmjet Ndërmjetësimit do të ishte mjeti që do të ndihmonte në përballimin e mbingarkesave të çështjeve gjyqësore të kësaj situate.

Gjithashtu, është e mundur, që jo të gjitha llojet e çështjeve të regjistruara në Gjykatë të kërkojnë domosdoshmërisht praninë e palëve, hapësirë të cilën ta krijon vetë Kodi i Procedurës Civile i ndryshuar (si p.sh kërkesat civile, urdhrat e ekzekutimit etj). Gjykimi i çështjeve të tjera mund të zhvillohet me praninë e përfaqësuesve të zgjedhur prej palëve, dhe palëve të domosdoshme për procesin.

Parimi i kontradiktoritetit është I rëndësishëm në proceset gjyqësore, pasi ndihmon në krijimin e bindjes së brendshme të gjyqtarit, por natyra e disa mosmarrëveshjeve civile apo administrative, jo gjithmonë mund të kërkojë praninë e palëve, pasi për këto çështje “flasin” letrat, dokumentet. Autoritetet e drejtësisë mund të japin direktiva, që për çështje të tilla, ku qëndrimi i palëve ndërgjyqëse mund të jepet me shkrim, dhe aktet provuese mund të çojnë në zgjidhjen e çështjeve, do të ndihmonte në reduktimin e shtetasve të cilët derdhen në dyert e Gjykatave, në funksion të masës së distancimit social.

Së fundmi, alternative tjetër është e një natyre miks të atyre të parashtruara më sipër, me huazimin e zgjidhjeve alternative të aplikuara nga shtetet e tjera, duke i përafruar ato me nevojat emergjente të proceseve gjyqësore në Shqipëri.

Dëshminë më të madhe e dha vetë njerëzimi, i cili iu nënshtrua këtyre masave ekstreme, duke treguar se respektim apo garantimi i të drejtave dhe lirive themelore, do të thotë dhe cedim i pjesshëm i tyre në funksion të interesit të përgjithshëm.

Dëshmia tjetër e madhe i takon institucioneve shtetërore dhe autoriteteve të larta të pushtetit gjyqësor, në aplikimin e masave konkrete, dhënien e zgjidhjeve efektive për të siguruar dhe garantuar kthimin sa më të lehtë në normalitet aktivitetin gjyqësor e mbi të gjitha që këto “vonesa” në drejtësi të shkaktojnë sa më pak padrejtësi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *