Vendosni fjalën kyçe....

Pence thyen rregullat e spitalit, shkon atje pa maskë


Zv.presidenti amerikan Mike Pence, ka vizituar një spital pa veshur një maskë për fytyrën, pavarësisht rregullave të qendrës mjekësore që vizitorët duhet të veshin patjetër pajisje personale mbrojtëse.

Pence duket se ishte personi i vetëm i pranishëm në Klinikën Mayo në Minesota, pa një maskë mbrojtëse.

Siç shkruan BBC, në një postim në “Twitter” që është fshirë tashmë, klinika tha se zv.presidenti ishte njoftuar paraprakisht për politikën e spitalit që kërkon vendosjen e maskave.

Pence drejton grupin që po merret me menaxhimin e situatës së krijuar nga koronavirusi të Shtëpisë së Bardhë.

Takimin me stafin dhe pacientët, Pence e quajti të nevojshëm.

Këshillat e qeverisë amerikane për parandalimin e koronavirusit janë që njerëzit duhet të mbajnë maska “në ambiente publike ku masat distancuese sociale janë të vështira për t’u mbajtur”.

Klinika Mayo vetë kërkon që të gjithë pacientët dhe vizitorët në qendrat e saj mjekësore të veshin një maskë ose mbulesë fytyre.

Pence u shoqërua nga komisari i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave, Dr.Stephen Hahn, i cili ndryshe nga ai mbante një maskë. I pyetur nga një reporter se pse nuk mbante maskë, Pence tha se ai dhe të gjithë rreth tij testohen rregullisht për koronavirusin.

“Kur CDC nxorri udhëzimet për veshjen e maskave, tha që njerëzit që mund të kenë koronavirus mund të parandalojnë mundësinë e përçimit të virusit tek dikush tjetër duke veshur një maskë. Dhe meqenëse unë nuk kam koronavirus, mendova se do të ishte një mundësi e mirë për mua që të jem në gjendje të flas me këta studiues, këtë personel të jashtëzakonshëm të kujdesit shëndetësor, t’i shikoj në sy dhe t’u them faleminderit.”– tha zv.presidenti, citon BBC.

Kujtojmë se i pari anëtar i Shtëpisë së Bardhë që testoi pozitivisht për virusin në fund të marsit, ishte një ndihmës i Pence.

Edhe presidenti Donald Trump vetë ka thënë më parë se nuk ka në plan të veshë maskë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *