Vendosni fjalën kyçe....

Bllokimi i aktivitetit ekonomik dhe detyrimi për raportim financiar


Nga Sonila Nikolla*

Ndërsa pandemia po zgjerohet, njësitë ekonomike po përballen me kushte të vështira, të shoqëruara me sfida që kërkojnë jo vetëm zgjidhje afatshkurtra por dhe afatmesme e më tej, sfida të lidhura dhe me zhvillimet ekonomike të vendit.

Praktikisht u gjendën të papërgatitura  të gjitha njësitë ekonomike të bujqësisë, shërbimeve, industritë etj., për t’u përballur me situatën e  gjendjes së jashtëzankoshme.

Tashmë pasiguria  po sjell paqëndrueshmeri në tregjet financiare, përkeqësim të dukshëm të situatës së kredisë, probleme me likuiditetin, rritje të ndjeshme të papunësisë, rënie të shpenzimeve të konsumatorit duke u shoqëruar me një rënie të të  hyrave buxhetore.

Njësitë ekonomike po përballen me probleme të nivelit të inventarit, mungesa ose teprica, dhe reduktim të konsiderueshëm të prodhimit për shkak të masave të marra në të gjithë botën për ndalimin e prodhimit, vështirësitë në eksporte etj., që kanë cuar në ulje të kërkesës si dhe me probleme që lidhen me likuiditetin, probleme këto që tashmë i kalojne kufijtë e një njësie ekonomike të vetme duke kërkuar më shumë se asnjëherë një ndërhyrje të qeverisë në marrjen e masave lehtësuese për të mundësuar vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik pasi kjo katastrofë të ketë kaluar.

Por le të ndalemi në Raportimin Finanaciar dhe Aktin normativ të Këshillit të Ministave për shtyrjen e afatit të dorëzimit të tyre në situaten e CO-19 dhe masave të marra për ndalimin e shumë aktiviteteve akonomike.

Standartet e kontabilitetit (SKK 1)-  Kuadri i përgjithshëm për përgatitjen e pasqyrave financiare, në pjesën “Parimi i vijimësisë” theksojnë:

  1. Pasqyrat financiare përgatiten sipas parimit të vijimësisë, që do të thotë se veprimtaria ekonomike e njësisë ekonomike do të ketë vijimësi dhe njësia ekonomike nuk ka në plan ose nuk do ta ketë të nevojshme ta ndërpresë aktivitetin e saj.
  2. Gjatë përgatitjes së pasqyrave financiare, drejtuesit duhet të vlerësojnë mundësinë e njësisë ekonomike për të vazhduar aktivitetin e saj për 12 muaj pas datës së pasqyrave financiare. Nëse kjo vazhdimësi aktivitetesh të njësisë ekonomike nuk është e sigurt drejtuesit e njësisë ekonomike duhet të sqarojnë në shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare, kushtet dhe rrethanat që e shkaktojnë këtë pasiguri.

Githashtu i njëjti standart më poshtë thekson:

“NGJARJET PAS PËRFUNDIMIT TË PERIUDHËS RAPORTUESE”

  116. Kontabilizimi i ngjarjeve që ndodhin pas mbylljes së periudhës raportuese, por para datës kur pasqyrat financiare autorizohen për tu publikuar, varet nga fakti nëse këto ngjarje janë të tilla që kërkojnë rregullim ose jo.

  118. Ngjarjet, për të cilat nuk bëhen rregullime janë ngjarjet që nuk evidentojnë kushtet që kanë ekzistuar pas mbylljes së periudhës raportuese. Njësia ekonomike nuk do të korrigjojë shumat e njohura në pasqyrat e saj financiare për të reflektuar ngjarjet për të cilat nuk bëhen rregullime, pas përfundimit të periudhës raportuese. Efekti i ngjarjeve për të cilat nuk bëhen rregullime do të përshkruhet në shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare nëse ato janë materiale.

SHËNIMET SHPJEGUESE

  1. Njësia ekonomike duhet të japë informacionet e mëposhtme shpjeguese për çdo kategori ngjarjeje pas përfundimit të periudhës raportuese, që nuk mund të rregullohet: (a) llojin e ngjarjes; (b) një vlerësim të efektit të saj financiar; (c) një deklaratë që një vlerësim i tillë nuk mund të bëhet.
  2. Nëse ka pasiguri në lidhje me vazhdimësinë e veprimtarisë së njësisë ekonomike, në shënimet shpjeguese duhet të jepen faktorët që shkaktojnë këtë pasiguri.

Aktualisht për shkak të situatës së Co-19 është shtyrë afati i dorëzimit të pasqyrave financiare dhe ato po përgatiten mbi bazën e shqetësimit të vazhdueshëm (ne kushtet kur asnjë nuk e di sa do të zgjasë kjo situatë) nëse aktiviteti i pezulluar përkohësisht do të ndërpritet përfundimisht apo ka alternativa për ristrukturim.

Kjo shtyrje e afatit të dorëzimit paraqet një problem në hartimin dhe dorëzimin e pasqyrave financiare të vitit 2019, ndoshta përpara kthimit në normalitet, duke marrë parasysh nëse ngjarjet që ndodhën pas fundit të vitit kanë një rëndësi të konsiderueshme për biznesin dhe për palët e treta të lidhura me të.

Pandemia po krijon jo pak probleme tek njësitë ekonomike të cilat duhet të marrin në konsideratë nëse kjo situatë do të vazhdojë gjatë, gjendje e cila sjell ulje të prodhimit, ulje të kërkesës për produkte dhe shërbime, ose mungesë të konsiderueshme të likuiditetit ose edhe të dyja bashkë.

Gjatë vlerësimit drejtimi duhet të identifikojë ngjarjet dhe kushtet të cilat mund te çojnë në dështim të biznesit duke marrë në konsideratë pasigurinë dhe suksesin e mundshëm të këtyre ngjarjeve dhe duke gjetur përgjigje realiste për të zbutur këtë pasiguri.

Në situatën aktuale vlerësimi bëhet pak më i vështirë duke marrë parasysh paqartësitë në lidhje me kohëzgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme si dhe të masave për distancimin social në fuqi, ndaj drejtimi duhet të marrë në konsideratë, jo vetëm ndikimin e situatës në ekonomi por situatën specifike të njësisë duke u fokusuar në burimet aktuale dhe potenciale të parasë duke përfshirë këtu dhe masat e marra nga qeveria mbi lehtësitë e financimit.

Në këtë moment informacioni duhet të fokusohet në masat që aktualisht po merr qeveria dhe si ndikojnë ato në aftësinë e njësisë për të operuar apo dhe të programeve të asistencës ndaj të cilave mund të përfitojë. Në rast kur drejtimi është i vetëdijshëm për paqartësi materiale të cilat hedhin dyshime të rendësishme mbi aftësinë e njësisë ekonomike për të vazhduar aktivitetin atëherë është e nevojshme që kjo pasiguri të shpjegohet si dhe ndikimi i saj në burimet e njësisë, në likuiditet dhe aftësinë paguese.

Ngjarjet që kanë ndodhur pas fundit të vitit dhe që kanë ndikim në pasqyrat financiare duhet të përfshihen në vlerat e bilancit referuar parimit të kompetencës, nëse nuk janë në kompetencën e vitit raportues duhet të merren në konsideratë për rëndësinë e tyre. Por, më e rëndësishme është evidentimi i ngjarjeve pasuese të cilat ndikojnë dhe vënë në rrezik vazhdimësinë e biznesit.

Për disa biznese, të cilat ndodhen në një pozicion të mirë financiar dhe të cilat nuk e kanë ndërprerë aktivitetitn e tyre, kjo situatë mund të kalohet me pak probleme, pavarësisht kohëzgjatjes së saj, por për një pjesë të konsiderueshme të bizneseve duhet marrë seriozisht në konsideratë vlerësimi i vijimësisë së biznesit.

Të gjithë ato biznese të cilave u është dashur të ndërpresin totalisht aktivitetin, nëse kjo gjendje e jashtëzakonshme vazhdon për një kohë të gjatë, në kontekstin e një situate ku mungon ekuilibri ekonomik dhe financiar, gjenden përballë një situate ku duhet të hartojnë pasqyrat financiare të vitit 2019 në gjendje jo-aktiviteti, paditur nëse do të jetë e mundur t’i rikthehen aktivitetit normal.

Gjatë vlerësimit bizneset duhet të fokusohen mbi dinamikën e ardhshme financiare, të vlerësojnë aftësinë paguese të klientëve, të analizojnë rikuperueshmërinë e inventarit, të përcaktojë ndikimin në asetet e saj dhe çdo investim në kompani të tjera si dhe mundësinë e përballimit të detyrimeve.

Ndaj është i nevojshëm dhe i domosdoshem një planifikim i të gjitha rezervave, përdorimi i të gjitha mjeteve ndihmëse (si psh. i kredive me kushte lehtësuese, akomodimi sa më i shpejtë me të punuarin në kushtet e kufizimeve) si dhe në ndihmën direkte të Qeverisë nëpermjet marrjes së masave ekonomike dhe financiare në mbështetje të biznesit në këtë situatë të jashtëzakonshme, për të mundësuar  vazhdimësinë.

Në këtë kuptim, shtyrja e raportimit financiar është një masë e mirë por që duhet shoqëruar dhe me masa të tjera të shkallëzuara për ato njësi që do të goditen më shumë nga kjo situate, sic thamë më lart me mbeshtetje direkte, kredi me garanci dhe forma të tjera që lidhen me shtyrje të disa pagesave ose rillogaritjen e tyre mbi bazën e rezultateve të pritshme të këtij viti e në vazhdim për të mundësuar rifillimin sa më shpejt të aktivitetit ekonomik menjëherë pas kalimit të situatës së Co-19, që të mos kalojmë në një krizë të thellë ekonomike që do të sillte mbase pasoja edhe më të vështira.

*Autorja është Pedagoge e Universitetit Mesdhetar të Shqiperisë


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *