Vendosni fjalën kyçe....

Lojtarët e Premier Ligës refuzojnë uljen e pagave me 30%


Shoqata e Futbollistëve Profesionistë, që përfaqëson futbollistët në Angli dhe Uells, është e pajtimit që lojtarët e Premierligës të ndihmojnë në kalimin e krizës së koronavirusit, mirëpo shoqata nuk është e sigurt se hapi i duhur në këtë situatë është t’u ulen pagat futbollistëve. Shoqata e refuzoi propozimin për ulje të pagave për 30 për qind, duke argumentuar se kjo do të bënte që qeveria t’i humbte mbi 200 milionë funte nga taksat që merren nga pagat e lojtarëve.

Përderisa pandemia koronavirus po vazhdon ta paralizojë futbollin, pagat e larta të futbollistëve kanë qenë në qendër të vëmendjes, që kur është vendosur të pezullohen përkohësisht ligat në Britani të Madhe dhe pothuajse kudo në botë, transmeton Gazeta Express.

Vendimet e klubeve si Tottenham dhe Liverpool për t’i liruar nga puna punëtorët e stafit josportiv kanë bërë që klubet të kritikohen ashpër, pasi që qeveria do të duhet të ndajë para për ata punëtorë, përderisa klubet e Premierligës janë mjaft të pasura dhe të mund t’ia lehtësonin barrën qeverisë duke i paguar vetë ata punëtorë.

Sekretari i Shëndetësisë në qeverinë britanike, Matt Hancock, ka qenë njëri ndër politikanët e shumtë që ka kërkuar nga futbollistët të pranojnë t’u ulen pagat, mirëpo Shoqata e Futbollistëve Profesionistë beson se anëtarët e vet janë duke u sjellë në mënyrë të përgjegjshme.

Megjithatë, në deklaratën e lëshuar sot, Shoqata e Futbollistëve Profesionistë, që përfaqëson futbollistët në Angli dhe Uells, tha se nuk mendon që ulja e pagave të lojtarëve për 30 për qind është zgjidhja më e mirë.

Këtë pretendim Shoqata e argumentoi duke thënë se qeveria britanike do t’i humbë mbi 200 milionë funte nga taksat e pagave të lojtarëve nëse pagat e tyre ulen për 30 për qind, duke sugjeruar se do ta gjejnë një mënyrë që të ndihmohen shërbimet publike e jo të ulen pagat pasi që në këtë mënyrë ndihmohen vetëm pronaret e klubeve dhe dëmtohen ata që kanë nevojë.

“Të gjithë lojtarët e Premierligës e vlerësojnë plotësisht rolin dhe përgjegjësinë e tyre gjatë kësaj krize aktuale. Atyre u intereson për të gjithë që po vuajnë nga humbjet, shëndeti dhe vështirësi të tjera në këto momente”, thuhet në deklaratën e lëshuar.

“Diskutimet për mënyrës së si lojtarët mund të kontribuojnë më së shumti në luftën kundër kësaj krize kanë qenë të vazhdueshme, edhe para lajmërimit të djeshëm nga Premierliga”,

“Në rrugën përpara, ne jemi duke punuar së bashku për ta gjetur një zgjidhje për të ndihmuar në rrethanat e krizës së Covid-19. Lojtarët janë të vetëdijshëm se si punëtorë PAYE, taksat e pagave të tyre janë një kontribut i madh në financimin e shërbimeve publike që janë të rëndësishme në momente të tilla. Ulja e pagave për 30 për qind do të kushtojë shumë në këtë aspekt, do të ndikonte keq te Shërbimi Kombëtar Mjekësor dhe shërbimet e tjera të financuara nga qeveria”.

“Nëse ulen pagat për 30 për qind siç është propozuar për një periudhë 12-mujore atëherë ulen pagat për 500 milionë funte dhe humben mbi 200 milionë funte kontribute në taksa. Çfarë efekti ka kjo humbje te qeveria dhe Shërbimi Kombëtar Mjekësor? A u mor parasysh kjo nga Premierliga dhe Sekretari i Shëndetësisë kur ata kërkuan që lojtarëve t’u ulen pagat”.

“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se lojtarët dhe kapitenët janë të angazhuar të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur. Ata e dinë rolin e tyre në shoqëri dhe do të bëjnë çfarëdo që të jetë e nevojshme, si grup, për t’i ndihmuar dhe mbështetur të tjerët”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *