Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Qeveria e papërgatitur, duhen bërë më shumë testime që të ndërpritet zinxhiri i transmetimit


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi deklaron se qeveria ka qenë e papërgatitur në fillim të krizës së shkaktuar nga COVID-19 dhe e akuzoi se mban të fshehur numrin e testeve në dispozicion.

Në një lidhje për News24, Bardhi tha se është urgjente që të fillojë testimi masiv për të ndërprerë zinxhirin e infektimit. Ai tha se qeveria nuk ka asnjë strategji dhe se sot në datën 5 prill, ende asnjë shqiptar nuk ka përfituar nga fondet që qeveria ka thënë se janë në dispozicion.

Kjo nuk është një kërkesë e PD por strategji e sugjeruar nga OBSH që po ndiqet nga të gjitha vendet, përfshirë vendet e rajonit. Ajo që kemi parë ka qenë që sa herë qeveria pyetet për numrin e testeve që ka Shqipëria trajtohet sekret shtetëror, kurse në vendet e rajonit ka transparencë të plotë. Kjo mungesë testimesh është e lidhur me mungesën e testeve në dispozicion.

Kanë njoftuar se kanë hapur një procedurë prokurimi por sërish trajtohet si sekret shtetëror. Është urgjente të fillojë testimi masiv i personave të kontaktit, të personelit shëndetësor.

Ky i fundit na deklaron se pavarësisht se kanë pasur kontakte me persona të prekur ata kërkojnë të bëjnë testime por sorollaten me ditë të tëra duke mos e bërë. Është e qartë që testimi masiv është e vetmja formë për të ndërprerë zinxhirin e infektimit. Qeveria ishte e papërgatitur kur filloi kjo krizë. Afërsisht 10% e atyre që testohen rezultojnë pozitiv me COVID-19. Ne na raportohen çdo ditë qytetarë që kërkojnë ndihmë pranë shërbimeve të urgjencës sepse kanë simptoma të ngjashme dhe nuk testohen apo verifikohen.

Është detyrë e qeverisë të kryejë testim masiv të popullatës për të mundësuar kthimin në normalitet të situatës.

Sot data 5 prill dhe ende asnjë shqiptar nuk ka përfituar nga fondet që qeveria ka thënë se ka vënë në dispozicion. Ndërkohë që Kosova ka vënë në dispozicion 200 milionë euro, Maqedonia e Veriut 600 milionë euro, ndërsa Serbia 1.5 mld euro.

Do duhet të kishte ndodhur që në ditët e fundit të muajit mars që çdo punonjës i bizneseve që nuk janë paguar sepse nuk kanë mundur të punojnë duhet të ishte paguar nga qeveria me të paktën pagë minimale”- deklaroi Bardhi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *