Vendosni fjalën kyçe....

Falsifikoi dokumentin për të dalë jashtë orarit, arrestohet 42-vjeçari nga Lezha


Arrestohet në Shkodër një 42-vjeçar nga Lezha, i cili është kapur nga policia me një dokument të falsifikuar që i lejonte të qarkullonte përtej orarit të lejuar.

Personi me inicialet Z.GJ u ndalua ndërsa drejtonte makinën pranë vendit të quajtur Shtoj i Ri në Shkodër, ndërsa kishte në makinë edhe një pasagjer. Ky i fundit u ndëshkua gjithashtu, por me një gjobë në masën 10 mijë lekësh.

“Përdorte dokument të falsifikuar për të qarkulluar gjatë orarit për qëndrim në banesë, në kuadër të masave kufizuese për mospërhapjen e COVID-19, arrestohet në flagrancë nga shërbimet e Policisë.

Ndëshkohet edhe pasagjeri, me masë 10.000 lekë, për thyerje të rregullit të ndalimit të lëvizjes për këmbësorë pas orës 13:00, pa ndonjë aryse.

Strukturat e DVP Shkodër, në vijim të kontrolleve për zbatimin e masave kufizuese, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit: Z. Gj. 42 vjeç, banues në Tale, Lezhë.

Arrestimi i tij u bë pasi, në vendin e quajtur Shtoj i Ri, Shkodër, duke drejtuar mjetin tip Audi, u ndalua nga shërbimet e Policisë për kontroll të autorizimit për lëvizje. Ky shtetas u ka paraqitur punonjësve të Policisë një dokument dhe distinktiv të “Europolice”.

Nga verifikimet paraprake me Europolin rezulton se këto dokumente janë të falsifikuara.

Gjithashtu, është ndëshkuar me masë administrative, për moszbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 “Për masat ndaj COVID-19”, pasi ka thyer rregullin e vetëkarantinimit, edhe pasagjeri që udhëtonte me shtetasin e arrestuar në flagrancë.”– thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama, paralajmëroi sot për forcim të masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit në vend.

Ai thotë se ndaj qytetarëve që shkelin rregullat e distancimit social, e në veçanti kur dalin në tregje për të bërë pazar do të zbatohen masa të reja ndëshkimore duke nisur nga e hëna, duke përfshirë këtu edhe heqjen e lirisë. 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *