Shefja e shërbimit Infektiv në QSUT, u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre si dhe të respektojnë rregullat e distancimit social.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, mjekja Najada Çomo thotë se ata që qëndrojnë grupe-grupe apo nuk respektojnë rregullat e vendosura nuk e dinë se çfarë lufte bëhet te Infektivi me të prekurit nga koronavirusi i ri.
‘Ju përshëndes nga Shërbimi Infektiv, aty ku është numri i lartë i pacientëve të shtruar nga koronavirusi. Doja t’iu jap një informacion të shkurtër lidhur me situatën e të shtruarve, kemi forma të mesme dhe forma mjaft të rënduara dhe një numër mjaft të shtuar tek Infektivi. Lajm optimist është numri i personave të shëruar nga virusi. Jemi të gjithë në krye të detyrës, 24 orë në 24 orë, por duhet rritur sensibilizimi i popullatës. Kur më duhet të lëviz në Tiranë për të ardhur në shërbim, shoh njerëz të grupuar dhe themi se është e tmerrshme që këta nuk e dinë se ç’farë lufte bëhet në Shërbimin Infektiv. Të nderuar njerëz, qëndroni brenda, se është gjëja më e vogël që mund të bëni. I bëj thirrje atyre që kanë sëmundje kronike dhe të moshuare të qëndrojnë kategorikisht në shtëpi, mos të dalin, se janë grupi më i rrezikuar.’ – thotë ajo në mesazhin në video.