Vendosni fjalën kyçe....

“Këtë emergjencë do e përballojmë së bashku, duhet transparencë e bashkëpunim” – Mesazhi i Metës


Presidenti Meta tha ditën e sotme se duhen marrë masa për të gjithë skenarët e mundshëm në ekonomi.

Gjatë intervistës për News24, kreu i shtetit u shpreh se ekonomia rrezikohet e për këtë arsye duhen marrë masa të qarta.

‘Do të kërkohet një qasje tjetër e menaxhimit të kësaj situate dhe infrastrukturës shtesë të domosdoshme, për të cilën nuk duhet të kursehemi dhe absolutisht në varësi dhe nga skenarët e ndryshëm, sepse janë disa skenarë për zhvillimin e kësaj beteje në planin e shëndetit publik, duhet të kemi të gjithë skenarët edhe përsa i takon përballimit të efekteve në ekonomi. Jo vetëm që FMN-ja e bëri të qartë para disa ditësh, që do të kemi efekte ngadalësuese, ndërkohë që më parë efekte të tilla patëm dhe nga tërmeti. Por njëkohësisht të gjithë e ndjejmë që efektet do të jenë në shumë drejtime dhe ne duhet të jemi të përgatitur për disa skenarë, të cilët unë shpresoj dhe besoj, që qeveria do t’i bëjë publik së afërmi dhe për këtë e rëndësishme, dhe besoj të jetë dëgjuar zëri i aktorëve të tjerë ekonomikë në vend që kanë shprehur shqetësimet e tyre legjitime.’ – tha Meta.

Presidenti tha në fund të intervistës se vendi po përballet me një emergjencë të cilën duhet ta përballojmë së bashku dhe mënyra më e mirë sipas tij është transparenca e bashkëpunimi.

‘Kjo është një krizë, është një emergjencë, të cilën do ta përballojmë të gjithë bashkë dhe mënyra më e mirë, por edhe e vetmja, është transparenca dhe bashkëpunimi. Vende të ndryshme kanë qasje të ndryshme, kanë edhe mundësi të ndryshme. Ne duhet ta kuptojmë që me këtë rast do të na duhet të marrim më shumë përgjegjësi vetë në përballimin e kësaj situate, pasi një nga partnerët tanë kryesorë, siç është Italia, është mjaft e goditur, është mjaft e rrezikuar dhe kjo për ne ka, jo vetëm rrezikun e ndikimit të përhapjes së këtij virusi për shkak të lidhjeve të shumta që ne kemi me Italinë, por edhe në planin ekonomik të mos harrojmë që shumica e eksporteve tona shkon drejt këtij vendi, ekonomia e të cilit gjithashtu ka marrë një goditje shumë të rëndë në këto javë.’ – theksoi kreu i shtetit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *