Vendosni fjalën kyçe....

Shkon në 33 numri i personave me koronavirus në Shqipëri


Ka shkuar në 33 numri i të prekurve nga koronavirusi në vend, duke shënuar kështu një rritje prej 1o personash nga dita e kaluar.

Lajmi është konfirmuar nga zv/Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakaçolli dhe drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP Silva Bino.

Sipas deklaratës së pak minutave më parë, në 24 orët e fundit janë realizuar edhe 159 testime të reja dhe kjo e çon numrin total të testimeve të kryera në 457.

“Deri në këto momente janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 33 raste, nga të cilat:

8 prej të cilëve janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina)

25 raste janë të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore në shtëpi.”– tha zv.ministrja.

Hartës së qyteteve të Shqipërisë, ku ka raste të konfirmuara me koronavirus i shtohet dhe Fieri. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se në Fier janë regjistruar katër raste të reja me virusin Covid-19.

Rastet e konfirmuara pozitive:

  • Tiranë 19 raste
  • Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
  • Lushnje 1 rast
  • Elbasan 2 raste
  • Fier 4 raste
  • Rrogozhinë 2 raste

Harta e qyteteve të prekura nga koronavirusi

Sipas këtyre të dhënave, mes të konfirmuarve me koronavirus është dhe një mjek i spitalit të Durrësit, ku qe e shtruar e 73-vjeçarja e cila ndërroi jetë nga koronavirusi.

Pas vdekjes së gruas së moshuar në Durrës e cila kishte qëndruar për disa ditë në spital, pa u testuar për koronavirus, u ngrit alarmi për shëndetin e personelit mjekësor të spitalit.

Por sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga 39 mjekë e infermierë, vetëm njëri ka rezultuar pozitiv.

“Siç ju kemi bërë të ditur në daljet e mëparshme, pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan negativë, ISHP ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës.
Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në spitalin e Durrësit.
Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 25 persona të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetëkarantinuar”- tha zv.ministrja e Shëndetësisë.

Ndërkohë priten rezultatet e testimeve të 50 personave të tjerë./Hashtag.al

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *