Vendosni fjalën kyçe....

Reagon ashpër ambasadori ynë në Kinë: Me Italinë ishim ‘njësh’ me aviona e tragete, të marrin fund gallatat e qyfyret


Pas konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus në vend, ka reaguar ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Belortaja thotë se bashkimi i Shqipërisë me “zonën e kuqe” të Italisë ka qenë prezent dhe më parë por sot vetëm sa u zyrtarizua.

Ai thotë se ka ardhur koha që shqiptarët të ulen me këmbë në tokë dhe të lënë gallatat e qyfyret por të bëhen seriozë për shkak të situatës tejet serioze. Ai shprehet se ka ardhur koha “të shkundemi”.

“Asgjë e re s’ka ndodhur. Ato 2-3 ishujt e vegjël s’mund të qëndronin për shumë kohë gri. Me Italinë ne ishim thuajse “njësh” me avionat dhe tragetet e përditëshme. Bashkimi me “hartën e kuqe” aty ishte, sot vetëm sa u zyrtarizua.
Kjo eshte keq sigurisht, por ka dhe një të mirë: uljen tonë me këmbë në tokë! Mbylljen e stacionit të ..Gallatës! Stopin e ..qyfyreve, kunjave e shakave tona bajate, të folklorizmave si ..“është si punë gripi, po ..një çikë me i fortë se gripi”! apo “jemi rracë e fortë”; te këshillave qesharake si ….”hani limona e pini raki”! “është kot kjo e kot ajo…”, etj. Ngjeshjes e gajasjes sonë të papërgjegjëshme nëpër kafe, restorante, salla, stadiume dhe autobuza edhe ..për 1 stacion! Të gjithë duhet të shkundemi. Ndryshe doemos ..do të na shkundë!”– shkruan Bertolaja.

Ambasadori shqiptar na ka mbajtur vazhdimisht të informuar lidhur me situatën në Kinë kur shpërtheu koronavirusi atje.