Vendosni fjalën kyçe....

Princ Harry dhe Meghan-i i japin fund detyrave mbretërore më 31 mars


Duka dhe Dukesha e Sussex-it do të tërhiqen zyrtarisht nga rolet e tyre mbretërore më 31 mars. Siç shkruan BBC, lajmi është konfirmuar nga një zëdhënës i çiftit.

Ata nuk do të kryejnë më detyra në emër të Mbretëreshës, por marrëveshjet do të rishikohen përsëri pas 12 muajsh.

Në fillim të këtij viti princi Harry dhe Meghan Markle njoftuan se ata do të tërhiqeshin nga detyrat mbretërore dhe do të punonin për t’u bërë të pavarur financiarisht.

Ata do të kthehen në Mbretërinë e Bashkuar për marrëveshjet në fund të këtij muaji.

Çifti synon që ta kalojnë kohën e tyre midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Amerikës së Veriut dhe zëdhënësi i tyre siguroi që ata do të ktheheshin në vend “rregullisht“.

Ata do të marrin pjesë në gjashtë evente në Mbretërinë e Bashkuar në shkurt dhe në mars, përfshirë këtu në Shërbimin e Ditës së Komonuelthit më 9 Mars.

Çifti do t’i ruajë zyrtarisht titujt e tyre mbretërorë, por nuk do t’i përdorë ato. Përdorimi i fjalës “mbretëror” është në diskutim, tha zëdhënësi, dhe një njoftim për këtë do të bëhet krahas nisjes së organizatës së re jo-fitimprurëse të Harry-t dhe Meghan-it.