Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedia në Bulqizë, flet daja i fëmijëve: Nuk janë helmuar nga gazi, bombolën e gjeta jashtë


Daja i fëmijëve që humbën jetën një ditë më parë në fshatin Ostren të Bulqizës, pretendon se tragjedia në familjen e motrës së tij nuk ka ndodhur për shkak të rrjedhjes së gazit.

Në një prononcim për Balkanweb, vëllai i Rajmonda Tolës tha se ai ka qenë i pari që ka hyrë brenda banesës ku ka konstatuar vdekjen e së motrës, mbesës Rudina 18 vjeçe dhe nipit Fatjon, 14 vjeç.

 “Nuk ka qenë nga gazi, as mangalli dhe as nga ngrohja elektrike. Një bombol 5 litërshe ka qenë jashtë banese kur kemi shkuar. Nuk ka qenë rrjedhje gazi. Kanë ndërruar jetë rreth orës 22:00-23:00 të së enjtes dhe kemi gjetur supë në një pjatë dhe e kemi dërguar për t’i bërë analizat”, deklaroi ai.

Daja i fëmijëve tha se i ka dërguar trupat e tyre në spitalin e Dibrës për analizat dhe se pret hetimet e policisë.
“Unë kam këmbëngulur si dajë, i kam dërguar nga spitali i Bulqizës në të Dibrës dhe kërkoj të bëhen analizat në mënyrë të hollësishme. Hedhim poshtë deklaratat e deritanishme për rrjedhje e gazi e çfarë ka dalë”, shprehet ai.

Daja i fëmijëve thotë se është në pritje të përgjigjes së analizave. Familja Tolaj jetonte në kushte jo të mira ekonomike. Në shtëpi rrinin vetëm nëna Rajmonda me tre fëmijët, Rudinën 18 vjeçe, Fatjonin 14 vjeç dhe Meritën 8 vjeçe, pasi burri ishte emigrant në Greqi.

Vajza e vogël e familjes ka mbijetuar dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *