Vendosni fjalën kyçe....

Shkrumbohet nga flakët jetimorja në Haiti, humbin jetën 15 fëmijë


Pesëmbëdhjetë fëmijë kanë humbur jetën në Haiti pasi jetimorja ku qëndronin është përfshirë nga flakët.

BBC shkruan se në jetimore përdoreshin qirinj në vend të energjisë elektrike, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar se cili është shkaku i zjarrit.

Jetimorja drejtohej nga një grup i krishterë me qendër në SHBA dhe ishte një nga qindra jetimoret në Haiti që vepronte pa autorizim zyrtar.

Autoritetet tani po punojnë për të mbështetur dhe rivendosur fëmijët e mbijetuar. Në kohën kur ra zjarri, në jetimoren e palicencuar po qëndronin rreth 60 fëmijë.

“Ne do t’i vendosim të mbijetuarit në një qendër tranziti ndërsa ne bëjmë kërkime mbi familjen e tyre dhe të shohim nëse mund t’i bashkojmë ata me prindërit”, i tha agjensisë së lajmeve Reuters, Arielle Jeanty Villedrouin, drejtore e Institutit për Mirëqenie Sociale.

Zjarri në jetimoren, që ndodhet në jug të kryeqytetit Port-au-Prince, filloi të enjten në mbrëmje. Zyrtarët thanë që dy fëmijë humbën jetën në vendngjarje, ndërsa 13 të tjerë ndërruan jetë në spital si rezultat i thithjes së tymit. Qirinjtë ishin ndezur natën e zjarrit sepse ishte prishur gjeneratori i ndërtesës.

Gjykatësja Raymonde Jean Antoine tha për agjencinë e lajmeve AFP se jetimorja nuk ishte e autorizuar të operonte që nga viti 2013.

“Gjithçka çfarë shohim janë fëmijë që jetojnë si kafshë”– tha ajo duke iu referuar kushteve në jetimore, ndërsa shtoi se nuk kishte fikëse zjarri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *