Vendosni fjalën kyçe....

Metodat banale të Veliajt për të penguar gazetarët (VIDEOT)


Rasti i një dite më parë, kur një punonjës i bashkisë së Tiranës pengon një gazetare të kryejë detyrën e saj nuk është i vetmi.

Një rast i ngjashëm i cili po ashtu është kapur në kamera, është ai me gazetarin Elio Laze që ka ndodhur një muaj më parë.

Raste të tjera që janë raportuar mbi pengimin që iu bëhet gazetarëve nga Veliaj ka disa, por këto dy janë të faktuara në video.

Të dy rastet lidhen me një event të bashkisë, festimet e 100-vjetorit të Tiranës. Rasti i parë ka ndodhur në ditën e prezantimit të logos së 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, e rasti i fundit ndodhi në mbylljen e festimeve. 

Rasti 1

Kryebashkiaku Erion Veliaj, u kap në kamera duke i thënë gazetarit Elio Laze “Do ta dhjes më keq po vazhdove”.

Kjo ka ndodhur muajin e kaluar gjatë një aktiviteti në Tiranë, kur gazetari po mundohej t’i drejtonte disa pyetje Veliajt. Ky aktivitet ishte për prezantimin e logos së 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet.

Rasti 2

Gazetarja e televizionit Ora News, Sonila Musaj, i doli përpara Erion Veliajt për t’i bërë disa pyetje, mirëpo njerëzit pranë kryebashkiakut u munduan ta pengonin.

E njëri prej tyre, Përgjegjësi i Marrëdhënieve me Publikun, Aurel Boriçi iu afrua gazetares dhe i tha “hajde të të përqafoj” pa e njohur fare, duke u munduar ta largojë nga Veliaj.

Gazetarja e revoltuar iu përgjigj: ” Të lutem mos më prek, si mund të përqafosh një femër që nuk e njeh!”. 

Ju do pyesni, po ç’bëri Veliaj kur pa këtë skenë? Asgjë, ai vijoi bisedën i pa shqetësuar. Gazetarja Musaj pas këtij incidenti e ka akuzuar punonjësin e bashkisë për seksizëm në një postim në rrjetet sociale dhe shtoi se do të ngrejë një padi ndaj punonjësit të bashkisë.

Kur bëhet fjalë për ta promovuar, Veliaj i ka qejf gazetarët por kur ata i shkojnë pas për ta pyetur për problemet në kryeqytet si në këto dy raste, nuk i përgjigjet dhe tenton madje t’i pengojë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *