Vendosni fjalën kyçe....

“Anti KÇK” zbarkon në Durrës, zëdhënësja me syze zbulon tre shënjestrat e radhës


Pas Shijakut dhe Shkodrës, strukturat e OFL-së kanë nisur aksionin në Durrës për sekuestrimin e pronave të subjekteve që rezultojnë persona me precedent kriminal.

Sipas zëdhënëses së Operacionit Forca e Ligjit, të cilën e kemi parë në ditët e fundit me syze dielli e kapele gjatë deklaratave, personat me precedentë penalë duhet të plotësojnë formularin e deklarimit të pasurisë brenda 48 orëve.

Tre subjektet e aksionit në Durrës janë: Dashamir Gjoka, i dënuar për “Trafik të qenieve njerëzore”, si dhe Emiljano Hari dhe kushëriri i tij Edlir Hajri.

Ditët e fundit, më shumë vëmendje se sa vetë operacioni ka tërhequr zëdhënësja e OFL-së, e cila shfaqet duke lexuar deklaratat me syze dielli, duke u kthyer dhe në objekt memesh në rrjet.

NJOFTIMI I OFL-SË
Në kuadër të operacionit Forca e Ligjit, në vijim të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL sapo i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

-Dashamir. Gj., me banim në Durrës, pasi rezulton i dënuar në Itali për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”.

-Emiljano H., me banim në Durrës, pasi rezulton i dënuar në Gjermani për trafikim narkotikësh dhe pastrim parash.

-Edlir H., banues në Durrës, me lidhje familjare me Emiljano H., pasi dyshohet se gëzon pasuri të prejardhura nga krimi.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili do të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.
Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.

Me marrjen e masës së sekuestros, çdo pronë e subjekteve do të administrohet nga agjencia e posaçme e Ministrisë së Brendshme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, por nuk mund të shitet apo të jepet me qira nga subjekti.
Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda.

Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *