Vendosni fjalën kyçe....

Dita e parë në Izrael, Meta pritet nga presidenti Rivlin: Shembulli unik i popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve


Presidenti Ilir Meta është pritur nga homologu izraelit, Reuven Rivlin në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Izrael.

Sipas një njoftimi nga presidenca, Meta e falenderoi homologun izraelit për ftesën për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Liderëve për të përkujtuar Ditën e Kujtesës së Holokaustit dhe 75-vjetorin e Çlirimit të kampit të Aushvitz-Birkenau.

“Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi jo vetëm nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi ku numri i hebrenjve jo vetëm u shumëfishua gjatë Luftës së Dytë Botërore, por asnjë prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve”, tha presidenti shqiptar.

Ndërsa Presidenti Rivlin nënvizoi se “shembulli i popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve përbën një model unik për të gjithë botën”.

Pasi theksuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, Meta inkurajoi rritjen e investimeve izraelite në vendin tonë.
“Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Izraeli rreth përdorimit të teknologjisë, për të nxitur zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, edhe ne kemi shumë për t’iu ofruar investitorëve, si dhe turistëve izraelitë që duan të vizitojnë vijën tonë të mrekullueshme të bregdetit, malet tona të larta dhe vendet tona historike”– tha kreu i Shtetit Shqiptar.

Ai e falënderoi homologun izraelit edhe për mesazhet e solidaritetit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, për operacionet e kërkim-shpëtimit izraelite që erdhën menjëherë pas tërmetit, si edhe punën e grupeve të specializuara për vlerësimin e ndërtesave të dëmtuara. Ai e ftoi Rivlin që t’i kthente vizitën në Shqipëri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *