Vendosni fjalën kyçe....

“Askush s’më bën dot presion për Kushtetutën, Dvorani e shkeli atë” – Meta


Presidenti Meta ka deklaruar ditën e sotme se i është drejtuar Komisionit të Venecias vetëm pasi Parlamenti i është drejtuar këtij institucioni për të vënë në diskutim kompetencat e tij kushtetuese.

‘Nuk ka qenë qëllimi im për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias. Por për shkak se Parlamenti ka ndërmarrë një nismë të tillë për të vënë në diskutim sipas tij, kompetencën kushtetuese të Presidentit të Republikës, edhe unë isha i detyruar, për të bërë të njëjtën gjë për Parlamentin.’ – tha Meta.

Meta tha më tej se vendi është në një situatë absurde për sa i përket Gjykatës Kushtetuese, duke qenë se Kushtetuta e ka shumë të qartë mënyrën si ngrihet ky institucion ndërkohë që kjo gjë nuk ka ndodhur.

‘Komisioni i Venecias është i detyruar të vihet në lëvizje nga ana procedurale sa herë që një parlament ia kërkon, por në rastin konkret kemi të bëjmë me një situatë absurde për arsye sepse nuk kemi se çfarë t’i interpretojmë Kushtetutës kur Kushtetuta e ka shprehur shumë qartë se si ndërtohet Gjykata Kushtetuese, pra e balancuar: tre anëtarë zgjidhen prej Presidentit, tre nga parlamenti, tre nga Gjykata e Lartë. Jo vetëm kaq, por edhe në një radhë të përcaktuar në Kushtetutë. Presidenti emërimin e parë, parlamenti emërimin e dytë, Gjykata e Lartë të tretin dhe pastaj përsëri në këtë mënyrë.’ – shtoi Meta.

Kreu i shtetit theksoi gjithashtu se nuk ka asnjë fuqi në botë që t’i bëjë presion në raport me Kushtetutën, ligjin e bindjet politike.

‘Në çdo rast mund t’jua tregoj në Kushtetutë se të gjitha veprimet e Presidentit janë mjaft solide. Është Presidenti ai, i cili ka kërkuar bashkëpunim me Kuvendin dhe kjo është e dokumentuar zyrtarisht. Janë disa shkresa, disa qëndrime publike, janë të gjitha të dokumentuara dhe zyrtare, ku Presidenti i kërkon Parlamentit bashkëpunim që të dyja institucionet të mos përplasen, por të respektojnë Kushtetutën dhe të mos dëmtojnë besueshmërinë e vetë Gjykatës Kushtetuese. Siç e dimë, nuk ka pasur asnjë përgjigje nga ana e Parlamentit. Është Presidenti që i ka kërkuar KED-së, dhe në veçanti kryetarit të KED-së, i cili nuk ka asnjë kompetencë nga ato për të cilat ai është kallëzuar penalisht në Prokurori, që të respektojë Kushtetutën, të respektojë radhën kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjithashtu që të kryejë detyrat e tij që ta ndihmojë Presidentin të mos e shkelë Kushtetutën. Të njëjtën gjë të mos e bëjë as parlamenti dhe askush tjetër në interes të një procesi legjitim dhe të besueshëm të krijimit të Gjykatës Kushtetuese.’ – tha Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *