Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialsite, Taulant Balla, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për të pushuar dosjen ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha, ish-sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani dhe financierit, Ilir Dervishi.
Taulant Balla ka sulmuar prokurorët dhe gjykatësit që ishin të angazhuar me trajtimin e dosjes, duke e quajtur një nxitim të tyren që zbatojnë parimin “kap çfarë të kapësh:
“Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim.
Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare.
Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vettingut dhe që zbaton parimin “kap çfarë të kapësh”, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm”-shkruan Balla në rrjetet sociale.
Balla madje shkon më tej lidhur me vendimin, ku i kërkon KLGJ-së dhe KLP-së të “hetojnë gabimet proceduariale me dashje”, për mbylljen e dosjes për 2 orë.
“Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje, që çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë”-shkruan Balla.
Në fund, Balla, shprehet se kjo çështje do apelohet dhe të rikthehet për hetim të plotë ku të merret në pyetje edhe përfituesi i parave Nik Muzin.
“Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë”-përfundon deputeti i PS-së.