Vendosni fjalën kyçe....

Nëse zbatoni këto 5 kritere, fitoni një dekadë shtesë pa sëmundje


30 minuta ushtrime në ditë dhe ushqyerja e mirë janë pjesë e një stili jetese të shëndetshëm

Ushtrimet për 30 minuta në ditë dhe ushqyerja e shëndetshme janë pjesë e një stili jetese të shëndetshëm, nga i cili gratë mund të fitojnë 10 vite dhe burrat shtatë vite jetë pa kancer, pa probleme të zemrës dhe pa diabet të tipit-2. Ky është rezultati që ka nxjerrë një studim i BMJ.

Siç shkruan BBC, duhet ushtrim i rregullt, pirja e alkolit e moderuar, një peshë e shëndetshme, dietë e mirë dhe zero duhan.

Hulumtuesit kanë studiuar 111,000 njerëz të cilët i kanë ndjekur për më shumë se 20 vjet. Autori kryesor i studimit, Dr.Frank Hu, nga Shkolla e Shëndetit Publik në Harvard, tha se studimi kishte “një mesazh pozitiv për publikun”.

“Ata fitojnë jo vetëm më shumë vite të jetës, por vite të mira përmes zgjedhjeve të përmirësuara të stilit të jetës”.-thotë ai.

Çfarë është një mënyrë jetese e shëndetshme?

Në moshën 50 vjeç, pjesëmarrësit u pyetën nëse ata plotësonin pesë kriteret e mëposhtme:

-kurrë nuk pi duhan

-mbaj një dietë të shëndetshme, të ekuilibruar

-bëj 30 minuta aktivitet të moderuar ose të fuqishëm çdo ditë

-kam një indeks të masës trupore (BMI) midis 18.5 dhe 24.9

-Nuk konsumoj më shumë alkool sesa një gotë të vogël vere në ditë për gratë dhe një gotë birrë për burrat

Frutat dhe perimet janë të rëndësishme për një dietë të shëndetshme

Gratë që jetuan mesatarisht 34 vjet të tjera pa kancer, pa sëmundje kardiovaskulare (të tilla si sulmi në zemër dhe goditje në tru) dhe diabeti i tipit 2 i kishin zbatuar këto kritere. Ato jetuan 10 vjet më gjatë pa këto sëmundje sesa  ato që nuk i zbatuan.

Për burrat, pas moshës 50-vjeçare kur nisi studimi, ata jetuan 31 vjet të tjerë. Shtatë vjet shtesë në krahasim me burrat që nuk jetuan sipas këtyre kritereve.

Pse kjo diferencë mes grave dhe burrave?

Kjo mund të jetë e lidhur me faktin se gratë jetojnë më gjatë se sa burrat mesatarisht.

Burrat dhe gratë më të shëndetshëm në studim, nuk kishin pirë kurrë duhan

Studimi zbuloi se burrat që pinin më shumë se 15 cigare në ditë dhe burrat dhe gratë obezë (me një BMI prej më shumë se 30) kishin jetëgjatësinë më të ulët pa sëmundje.

Por disa gjëra ishin të vërteta për të dyja gjinitë – jo vetëm që një mënyrë jetese e shëndetshme zvogëlonte rrezikun e kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit tip 2, por gjithashtu përmirësoi mbijetesën nëse burrat dhe gratë diagnostikoheshin me ndonjë prej sëmundjeve.

“Përfitimet shtohen për burrat dhe gratë”– tha Dr Hu.

Pse fokusimi në këto sëmundje?

Kanceri, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti tip-2 janë tre nga sëmundjet më të zakonshme në pleqëri. Ato janë gjithashtu të lidhura ngushtë me stilin e jetës së njerëzve.

Mbipesha për shembull, mendohet se është e lidhur me 13 lloje të ndryshme të kancereve, duke përfshirë gjoksin, zorrën, veshkën, mëlçinë dhe ezofagun.

Disa lloje kanceri janë të lidhur ngushtë me faktorët e stilit të jetës, siç është mbipesha

Kërkimet e kancerit në Mbretërinë e Bashkuar kanë llogaritur që katër në 10 kancere mund të parandalohen nga njerëzit që ndryshojnë aspektet e stilit të jetës së tyre, të tilla si moskonsumimi i mishit të përpunuar, ngrënia e më shumë fibrave në dietën e tyre dhe mbrojtja e lëkurës së tyre në diell.

Ky artikull është pronë intelektuale e BBC/ Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *