Vendosni fjalën kyçe....

Sot dita më e ftohtë e javës, temperaturat arrijnë deri në -10 gradë celsius


Stuhia e erës që përfshiu dy ditë më parë gjithë vendin e veçanërisht Tiranën, erdhi si pasojë e uljes së menjëhershme të temperaturave. Por ndonëse nuk priten stuhi ere, temperaturat në gjithë vendin parashikohet të bien edhe më tej.

Kjo e martë, është parashikuar si një nga ditët më të ftohta të javës. Sipas MeteoAlb pjesa e parë e ditës vijon me kthjellime e vranësira të lehta në të gjithë Shqipërinë, ndërsa pjesa e dytë sjell shpeshtim të vranësirave në zonat përgjatë kufirit Lindor por pa reshje.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit vijojnë të ulen në mëngjes por mesdita sjell rritje duke luhatur vlerat minimale dhe maksimale nga -10°C deri në 11-12°C.

Era do fryjë mesatare në tokë deri e fortë në det, me shpejtësi 55 km/h nga drejtimi Verior-Verilindor duke krijuar në det dallgëzim deri 4 ballë.

Edhe në Rajon dhe në Europë situata meteorologjike është pothuajse e njëjtë. Europa mbetet me kthjellime dhe vranësira kalimtare kryesisht në Veri dhe Lindje, ku priten edhe reshje të pakta dëbore.