Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni Hetimor përdor Dvoranin kundër Metës dhe kërkon ndihmë nga Venecia


Miratohet shtyrja me 4 muaj e afatit të hetimit të Komisionit të ngritur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Komisioni ka zgjeruar objektin e hetimit për veprimet e presidentit në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.  Maxhoranca pretendon se presidenti Meta ka bërë dy shkelje të tjera sa i takon emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo ishte arsyeja pse kërkoi dhe shtyrjen e komisionit.

Po ashtu kryetari Ulsi Manja ka propozuar sot që në pyetje për shtesat hetimore të merret edhe kreu i KED-së Ardian Dvorani. Kujtojmë se këtë të fundit, presidenti Meta e ka paditur penalisht pasi e akuzon se ka shkelur Kushtetutën me dërgimin e të dyja listave për plotësimin e njëkohshëm të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, te Presidenca dhe Kuvendi duke çuar në përplasje mes dy institucioneve.

Këto propozime kanë shkaktuar debate, pasi dy anëtarë të komisionit nga e ashtuquajtura ‘opozita parlamentare’ nuk kanë rënë dakord.

Anëtari i Komisionit Arben Zeneli dhe Halit Valteri kanë dalë kundër këtij propozimi pasi kërkon që fillimisht të mbarojë puna për atë për të cilën Komisioni Hetimor u mblodh fillimisht, anulimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit.

 “Nuk mund të merremi se çfarë bën sot Meta apo çfarë do bëjë Meta. Nuk bëhet kjo punë shto ujë e shto miell. Jemi kundra shtimit të objekteve të hetimit për Presidentit në këtë Komision.”– tha Valteri.

Ndërkohë deputeti socialist Spartak Braho ka deklaruar se është dakord me këto shtesa dhe thotë se me to Metës i shtohen edhe 8 shkelje të reja.
“Unë jam dakord me shtesën e subjektit të hetimit. Komisioni është nisur për të shkarkuar Presidentin. Ai shkarkohet për shkelje të rënda. Tek objekti i hetimit janë shtuar edhe 8 shkelje t tjera. nuk i gjykoj dot nëse janë të rënda apo të lehta. Nëse ka shkelur rëndë është për tu shkarkuar. Duhet të vazhdohet me këto shtesa.”- tha Braho.

Po ashtu sot u votua unanimisht që për shtesat, Komisioni t’i drejtohet për opinion Komisonit të Venecias. Propozimin që çështja t’i çohet për opinion Komisionit të Venecias, ashtu siç ndodhi me dekretin për anulimin e 30 qershorit, u bë nga deputetja e PS-së, Klotilda Bushka. Kjo e fundit dha dhe 5 pyetjet që do i drejtojë maxhoranca këtij komisioni.

5 Pyetjet:

1-A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, kur ai apo ajo në konsiderohen të emëruar? Në këtë rast a konsiderohet e cënuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?

2-Emërimi i një gjyqtari Kushtetues, tej afatit prekluziv 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të emëruar të miratuar nga KED a e cënon parimin e Gjykatës së krijuar me ligj, a ndikon kjo në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancinë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor?

A bie ndesh kjo frymën e mekanizmave zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese ?

3-A është në përputhje me standardet më të mira zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin Kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet e emëruar ky gjyqtar?

4-Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim për të plotësuar kushtin e betimit për të filluar ushtrimin e detyrës në situatën kur konsiderohet i emëruar për efekt të ligjit?

5-Cilat mund të ishin zgjidhjet të standardeve më të mira për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin përkatës?/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *