Vendosni fjalën kyçe....

“Samir Mane shkarkoi në mënyrë të paligjshme kreun dhe financierin e sindikatës” – Minatorët e Bulqizës


Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës kanë denoncuar shkarkimin në mënyrë të paligjshme nga puna të kreut të sindikatës, Elton Debreshi dhe përgjegjësit të financave, Beqir Duriçi.

Ata akuzojnë kompaninë Albchrome dhe Samir Manen për shkarkimin në shkelje të Kushtetutës, Kodit të Punës e Konventave Ndërkombëtare të Debreshit e Duriçit.

‘Albchrome dhe Samir Mane vazhdojnë veprimtarinë e tyre të paligjshme ndaj drejtuesve të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës! Në paligjshmëri flagrante, duke shkelur Kushtetutën, Kodin e Punës dhe Konventat Ndërkombëtare, Albchrome deri më sot ka pushuar padrejtësisht nga puna Elton Debreshin, kryetarin e sindikatës sonë, dhe Beqir Duriçin, përgjegjës për financat dhe anëtar të Këshillit Sindikal. Këto raste të pengimit të veprimtarisë sindikale dhe diskriminimit për këtë arsye, i kemi denoncuar publikisht, u jemi drejtuar institucioneve përgjegjëse brenda vendit. Po ashtu, rastet i kemi bërë publike dhe i kemi denoncuar edhe në institucione e sindikata ndërkombëtare.’ – thuhet në deklaratën e sindikatës.

Më tej, sindikata thekson se atyre po u bëhet presion dhe denoncon praktikat e përdorura si të papranueshme e të dënueshme. Përfaqësuesit e sindikatës shtojnë në reagimin e tyre se presionet nuk do i ndalin dhe se ajo po rritet dita-ditës.

‘Por veprimtaria e paligjshme e Albchrome vazhdon. Ditën e sotme ishte thirrur sërish në Tiranë Behar Gjimi, anëtar i Këshillit Sindikal. Arsyet janë krejtësisht banale, por ne jemi të qartë dhe të vetëdijshëm që kjo vjen për shkak të veprimtarisë sonë sindikale. Këto praktika janë të papranueshme dhe të dënueshme në një vend të ashtuquajtur demokratik, që ka nënshkruar konventa dhe marrëveshje për garantimin e organizimit sindikal.’ – vijon deklarata.

Ata theksojnë se shumë më tepër minatorë po i bashkohen sindikatës duke shtuar se kanëmarrë mbështetje edhe nga sindikata të mëdha jashtë vendit e duke shprehur besimin se do e fitojnë të drejtën e tyre.

E megjithatë këto presione nuk na ndalin, por na bëjnë edhe më të fortë. Ne jemi në rrugë të drejtë. Që prej fillimit kemi qenë të vetëdijshëm për vështirësitë që do hasnim, për pasunarët dhe pushtetarët që do përpiqeshin t’na pengonin në mënyra të tilla, sa të padrejta aq edhe të paligjshme. Por ne kemi njëri-tjetrin, shokët dhe vëllezërit me të cilët ndajmë kafshatën e bukës dhe luftën ndaj vdekjes në thellësitë e galerive. Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës forcohet dhe rritet dita-ditës. Anëtarësimet kanë kaluar çdo parashikim edhe tonin. Mbështetja prej minatorëve, prej qytetarëve anekënd Shqipërisë, por edhe nga sindikata të mëdha jashtë vendit, është e jashtëzakonshme. Prandaj ne do të fitojmë!’ – mbyllet reagimi. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *