Vendosni fjalën kyçe....

Shpjegimi i Ergys Mërtirit se si projektligji i Ramës po rrezikon sistemin demokratik në vend


Sociologu Ergys Mërtiri, ka vërejtur se maxhoranca është se në pozitë ortakërie me mediat kryesore në vend, pavarësisht se po i sulmon ato çdo ditë. Sipas Mërtirit, media është kapur përmes konfliktit të interesit dhe kjo vërehet qartë pasi pavarësisht sulmeve të panumërta e ofendimeve të Ramës ndaj gazetarëve, në vend nuk ka asnjë televizion kryesor që të jetë kundër qeverisë. Përkundrazi kryeministri Edi Rama shfaqet 24 orë në 24 në të gjitha televizionet.

Mërtiri thotë se kjo po cënon jo vetëm lirinë e gazetarëve por po cënon dhe sistemin demokratik në vend dhe këtë e shpjegon përmes lidhjes politikë-media.

“Ka një paradoks. Si shpjegohet që qeveria bën një ligj kundër gazetarëve dhe e bën këtë kaq serbes e ia del me këtë?! Në asnjë vend demokratik nuk mund të ndodhë që kryeministri të konfliktohet me të gjithë gazetarët dhe të fitojë. Jetojmë në epokën e informacionit, ku praktikisht sot është politikë e transmetuar. Për sa kohë është e tillë, qeveria është e varur nga mediat, nuk ka sens t’i luftojë kaq lirshëm, t’i shajë, t’i ofendojë mediat, në fund fare të bëjë dhe ligje kundra tyre, t’i censurojë e madje ndërkohë është 24 orë në media. Këtu ka një gjë që nuk shkon. Nuk ka një konflikt mes qeverisë dhe medias. Është fake konflikti. Përkundrazi ka një ortakëri të mirëushqyer të qeverisë dhe mediave. Në qoftë se ne nuk e marrim më këtë jo thjesht si çështje të lirisë së gazetarëve, atëhere nuk e keni kapur thelbin e problemit. Nuk është më thjesht problem i gazetarëve, është çështje e qytetarëve përballë një qeverie që po instalon një sistem autokratik.

Nuk bëhet fjalë këtu thjesht për hapësirën time për të kritikuar qeverinë. Është siguresa e sistemit. Fjala e lirë dhe gjykata e pavarur janë dy siguresat kryesore që mbajnë në këmbë sistemin demokratik. Përndryshe demokracia ka rënë. Praktikisht ne sistemin gjyqësor nuk e kemi dhe mënyra si po bëhet po e shohim. Vetëm fjala e lirë ka mbetur. Rrugët e tjera për mbrojtjen e sistemit janë ushtarake pastaj. Rama mund të çohet një ditë befas me pizhama dhe thotë se: Nga sot e tutje Shqipëria është një vend diktature. Cili institucion e ndalon këtë? Dhe nëse janë kapur dhe mediat, si do të mundet populli të ngrihet kundër qeverisë, kur formohet pikërisht nga këto media?” -thotë Mërtiri.

Ai theksoi se nuk ka më vend as për krahasime me qeverisjen e kaluar, pasi para 2013-ës shumica e televizioneve kanë qenë në opozitë me qeverinë dhe jo palë e saj.

“Edhe krahasimet me qeverinë e kaluar janë pa vend sepse nuk kemi qenë kurrë në këtë nivel të monopolizimit të mediave nga qeveria. Më parë sado që mund të ketë pasur konflikte të qeverisë me median, por nuk kemi pasur kurrë që të gjithë televizionet të kenë qenë pro qeverisë. Madje përkundrazi, shumica e televizioneve kanë qenë kundra qeverisë. Pavarësisht se mund të jenë sulmuar nga qeveria. Kurse sot nuk kemi asnjë televizion të rëndësishëm mainstream që të jetë në opozitë me qeverinë. Kjo është dramatike. Nuk ka rëndësi je i majtë apo i djathtë.”- tha Mërtiri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *