Vendosni fjalën kyçe....

Nisin zgjedhjet e përgjithshme në Britani, votuesit vendosin mes Johnson dhe Corbyn


Qytetarët në Mbretërinë e Bashkuar sot do t’i drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet e treta të përgjithshme që mbahen në më pak se 5 vjet.

Vendvotimet në 650 zonat elektorale në të gjithë Anglinë, Uellsin, Skocinë dhe Irlandën Veriore janë hapur në orën 07:00.

BBC shkruan se pas përfundimit të votimit në 22:00, numërimi do të fillojë menjëherë. Shumica e rezultateve do të shpallen në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Britanikët po përballen me një zgjedhje të vështirë, për të zgjedhur kryeministrin mes dy kandidatëve jo shumë popullorë, njëri është kryeministri aktual Boris Johnson dhe tjetri kreu i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn.

I pari synon ta largojë Britaninë nga BE-ja brenda janarit të vitit 2020 kurse i dyti premton të organizojë një referendum të dytë për largimin nga Bashkimi Europian.

Ky është shansi i parë i Johnson për të dalë para votuesve britanikë si kryeministri i vendit. Këto janë zgjedhje të cilat ai vetë i kërkoi, megjithatë fushata nuk ka kalur pa peripeci.  Kritikët kanë ngritur dyshime mbi besueshmërinë e tij.

Johnson po përpiqet të bindë votuesit se mund ta nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar nga Bashkimi Evropian deri në fund të janarit dhe pastaj ta ndjekë atë me negociata të suksesshme për një marrëdhënie të re tregtare.

Zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar tradicionalisht zhvillohen çdo katër ose pesë vjet. Por, në tetor, deputetët votuan për zgjedhje të parakohshme pas kërkesës së kryeministrit aktual, Boris Johnson.

 Sipas BBC-së, këto janë zgjedhjet e para që zhvillohen në dimër që nga viti 1974 dhe të parat që zhvillohen në dhjetor që nga viti 1923.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *