Vendosni fjalën kyçe....

“Alibi për të shpëtuar, nëse merret i pandehur e zëvendëson anëtari i Kushtetueses” – Presidenca i përgjigjet Dvoranit


Presidenca ka reaguar pas deklaratave të djeshme të kreut të KED-së, Ardian Dvorani, që marrja e tij si i pandehur do bllokonte funksionimin e institucionit që drejton.

Zëdhënësi i Metës, Blushi, tha se kjo është një alibi e neveritshme e Dvoranit për t’i shpëtuar drejtësisë.

Ai sqaroi se sipas ligjit, nëse Dvorani ndiqet penalisht, atëherë anëtari më i vjetër në moshë i Kushtetueses, e zëvendëson në krye të KED-së.

‘Kjo është një alibi e neveritshme për t’i shpëtuar drejtësisë për veprat penale që Ardian Dvorani ka konsumuar dhe për të cilat është kallëzuar penalisht në Prokurori.

Ligji nr. 115/2016, për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ka zgjidhur shumë mirë këtë situatë në nenin 227 të tij, ku parashikon se “Anëtari më i vjetër në moshë nga Gjykata Kushtetuese është Zëvendëskryetari i KED-së. Zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e Kryetarit në mungesë ose pamundësi të këtij të fundit.’ – deklaroi Blushi.

Ai shtoi se KED-ja u bllokua qëllimisht për dy vite radhazi derisa Dvorani të vihej në krye të tij për të bërë më pas shkeljet kushtetuese e ligjore për të cilat është akuzuar nga presidenti Meta.

‘Nuk është përgjegjësia penale e Ardian Dvoranit, që mund të bllokojë funksionimin normal të KED, por u bllokua qëllimisht funksionimi i KED për dy vite radhazi, që në krye të këtij organi të vihej Ardian Dvorani, për të konsumuar të tilla shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore.

Edhe mbledhja e djeshme e KED-së, e zhvilluar duke njoftuar dy Rende Dite të ndryshme, një të njoftuar publikisht dhe një të ndryshëm të njoftuar anëtarëve dhe pjesëmarrësve në Këshill, është një tjetër e dhënë e papërgjeshmërisë së këtij individi , përkundrejt zbatimit të parimit të transoarencës së ushtrimit të detyrës ashtu sic kushtetuta dhe ligji ia kërkon,’ – mbylli Blushi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *