Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e gjeorgjianit në Berlin, Putin: Ai ishte vrasës dhe terrorist, por unë s’e di ç’i ndodhi


Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se gjeorgjiani i vrarë në Berlin ishte një terrorist vrastar, por “Rusia nuk kishte asnjë lidhje me vdekjen e tij”.

Javën e kaluar, qeveria gjermane dëboi dy diplomatë rusë për bashkëpunim të pamjaftueshëm me policinë lidhur me vdekjen e Tornike K, i njohur gjithashtu si Zelimkhan Khangoshvili, me kombësi gjeorgjiane. Ai u vra në muajin gusht, në Parkun Tiergarten të Berlinit.

I pyetur pas takimit të ‘Normandy Four’ në Paris, Putin tha se nuk është me vend për ta quajtur një “gjeorgjian” të vdekurin, pasi ai sipas tij nuk është një gjeorgjian etnik dhe në fakt kishte luftuar për militantët çeçenë në Kaukaz .

“Ai ishte një militant, një njeri shumë i ashpër dhe gjakatar”, u tha Putin gazetarëve, duke përmendur se ai kishte qenë në kërkim për një sulm ku humbën jetën 98 njerëz, dhe ishte një nga ideatorët e sulmit me bombë në metronë e Moskës në vitin 2004.

“Nuk e di se çfarë i ndodhi. Ai ishte pjesë e një ambienti banditësh, gjithçka mund të ndodhë atje.”- tha Putin, citon RT.

Ai shtoi: “Të dy diplomatët e dëbuar nga Gjermania nuk kishin asnjë lidhje me vrasjen në asnjë rast, dhe Rusia do të hakmerret duke dëbuar dy gjermanë nën rregullat e heshtura të diplomacisë”.

Presidenti rus tha se qeveria e tij do të bashkëpunojë me policinë gjermane për hetimin e vrasjes. Sidoqoftë, ai vuri në dukje se Rusia i kishte kërkuar Gjermanisë bashkëpunim “më shumë se një herë” për të arrestuar dhe ekstraduar Khangoshvilin, pasi ai kërkohej për terrorizëm, por autoritetet gjermane refuzuan.

“Do të ishte mirë të bashkëpunonim në rrethana të tjera, jo vetëm në kohën e tragjedisë”– tha Putin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *