Vendosni fjalën kyçe....

Mbi 28 mijë azilkërkues në Gjermani kanë aplikuar përsëri pas largimit ose dëbimit


Të dhënat e qeverisë gjermane, tregojnë se mijëra të huaj që kishin kërkuar më parë azil por ishin larguar apo deportuar nga vendi, janë kthyer përsëri për të kërkuar azil. Qindra prej tyre janë përpjekur të kërkojnë azil pesë herë ose më shumë.

Tema e të huajve të padëshiruar që kthehen pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për t’i hequr qafe, është aktuale në Gjermani për momentin. Javën e kaluar, një gjykatë urdhëroi dëbimin e Ibrahim Miri, një udhëheqës kriminel me origjinë libaneze, i cili kërkoi azil në Gjermani, pavarësisht se ishte deportuar vetëm disa muaj më parë. Pasi zbriti në Beirut, Miri u zotua të kthehej në Gjermani dhe ta provonte për herë të tretë, shkruan RT.

Në fakt, shifrat e qeverisë tregojnë se aktualisht janë 28.243 persona që kërkojnë azil në Gjermani pavarësisht se janë larguar të paktën një herë ose në mënyrë vullnetare, ose janë deportuar. Këtë vit, 3,243 të refuzuar ri-aplikuan për azil.

Në këtë shifër përfshihen individë që ndajnë vendosmërinë për të jetuar në Gjermani. Nga mbi 28,000 të kthyer, 4,916 prej tyre aplikuan për azil për herë të tretë dhe 1.023 për herë të katërt. Pesë ose më shumë përpjekje janë bërë nga 294 kërkues.

dhënat e raportuara nga Welt am Sonntag, u publikuan nga qeveria federale si përgjigje të kërkesës së Martin Sichert, kryetarit të degës bavareze të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Qeveria nuk dha detaje se sa prej të kthyerve ishin dëbuar në të kaluarën, në krahasim me ata që ishin larguar vullnetarisht.

AfD nuk është e vetmja që kërkon masa më të ashpra për të huajt që kthehen në Gjermani pavarësisht se janë deportuar. Ministri Federal i Brendshëm, Horst Seehofer, i cili është edhe drejtuesi i Unionit të Krishterë Social në Bavari (CSU), tha që njerëzit që shkelin ndalimin për të rihyrë në vend, duhet të mbahen në paraburgim ndërsa shqyrtohet çështja e tyre. Për momentin, ligji gjerman e lejon ndalimin për disa muaj në raste të tilla, por edhe ajo masë përdoret rrallë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *