Vendosni fjalën kyçe....

Ekspertët nga Zvicra zbresin në terren, nisin verifikimet në Durrës e Krujë


Ka nisur verifikimi në terren i dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Ekspertët e mbërritur nga Zvicra kanë qenë sot në qytetin e Durrësit ku kanë vërejtur dëmet e shkaktuara nga lëkundjet në godina të ndryshme.

Bëhet fjalë për një ekip me 15 persona që po merren kryesisht më Durrësin dhe Krujën.

Ekipi përfshin ekspertë në dy fusha, inxhinierë që vlerësojnë gjendjen e ndërtesave dhe ekspertë që vlerësojnë nevojat dhe planifikojnë veprimet në përgjigje të tyre, raporton Albinfo.ch.

‘Programi ynë i bashkëpunimit në Shqipëri duhej patjetër të përfshinte një përgjigje ndaj tërmetit tragjik që goditi të martën. Duke parë seriozitetin e gjendjes, qeveri zvicerane zgjeroi përpjekjet duke sjellë misionin e parë me ekspertë, të cilët do të vlerësojnë nevojat, do të japin asistencë të menjëhershme dhe do të propozojnë masa afatgjata pas tërmetit’, ka thënë ambasadori zviceran në Shqipëri, Adrian Maitre.