Vendosni fjalën kyçe....

Si u rrëzuan godinat që morën 28 jetë njerëzish- Njëra e paralajmëruar


Tërmeti i orëve të para të mëngjesit të djeshëm ka lënë pas një numër të madh viktimash, qindra të plagosur si dhe dëme të shumta materiale. Numri më i madh i viktimave është shënuar në Thumanë e Durrës ndërsa një vitktimë është konfirmuar edhe në Kurbin.

Thuajse të gjitha viktimat e Thumanës janë gjetur nën rrënojat e 3 pallateve të rrëzuara gjatë tërmetit. Njëri nga tre pallatet e rrëzuar, kishte pësuar dëme të konsiderueshme gjatë tërmetit të rreth dy muajve më parë dhe ishte shpallur i pabanueshëm, raporton Shqiptarja.com që citon burime të pakonfirmuara.

Pallatet kishin marrë dëmtime edhe gjatë tërmetit të 21 shtatorit, ndërkohë që mëngjesin e djeshëm ai ishte i populluar me shumë banorë, një pjesë e të cilëve janë nxjerrë tashmë ndërsa të tjerë dyshohet se janë nën rrënoja.

Bashkë me pallatin e shpallur të pabanueshëm, u rrëzuan edhe dy të tjerët ngjitur me të e nuk ka asnjë informacion nëse prokuroria ka nisur hetimet lidhur me përgjegjësitë e mundshme.

Këto pamje dramatike nga Thumana, mbase sot nuk do shiheshin nëse do ishin bërë verifikime paraprake për sigurinë e këtyre ndërtesave.

Tre pallatet e shembura janë ndërtuar që në vitet ’70 dhe sipas një personi që ka punuar aty, në to nuk është ndërhyrë për vlerbsim apo rikonstruksion e për të parë nëse ato ishin ende të sigurta në raste tërmetesh apo katastrofash të tjera natyrore.

Durrësi e ka pasur më të shpërndarë gjeografinë e godinave të prishura ku janë gjetur deri tani trupat e pajetë të 24 personave. Bëhet fjalë për 3 hotele e dy pallate.

Hotel ‘Palma’ në Shkëmbin e Kavajës ishte një nga hotelet e rrëzuara, nga ku deri tani janë gjetur deri tani 3 persona të pajetë. Në faqen zyrtare të hotelit nuk mund të gjesh historikun e ndërtimit, por faqja në ‘Facebook’ e hotelit është hapur që në vitin 2013.

Hoteli tjetër i rrëzuar është ai ‘Tropikal’ në Durrës. Nga rrënojat e tij është nxjerrë deri tani një shtetas nga Gjilani, Kosovë, ndërsa dyshohet se nën rrënoja është edhe i vëllai. Hoteli rezulton si biznes i regjistruar në vitin 2001.

Hoteli i fundit që u rrafshua nga tërmeti është ‘Mira Mare’ në Durrës , ku deri tani janë nxjkerrë që aty trupat e dy personave  por dyshohet se nën rrënoja ka të tjerë persona dhe operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë. Hoteli është ndërtuar rreth 10 vjet më parë dhe fillimiosht ka pasur vetëm dy apo tre kate e më pas dyshohet se mbi të është bërë një shtesë.

Në Durrës u rrëzuan pjesërisht edhe dy pallate të vjetra. Nga njëri prej tyre, ai në Lagjen 6, është nxjerrë i gjallë një i ri, ndërsa dyshohet se nën rrënoja ka ende disa persona, gjendja e të cilëve nuk dihet ende.

Në pallatin tjetër, në Lagjen 18, që u rrëzua krejtësisht, janë nxerrë trupat e pajetë të tre personave ndërsa poshtë rrënojave dyshohet se janë të paktën 5 persona të tjerë.

 Viktimat e tjera në Durrës janë anëtarët e familjes Lala që humbën jetën pas rrëzimit tyë godinës 3 katëshe ku jetonin. Deri tani nga rrënojat janë nxjerrë 3 persona, ndërsa një i ri u nxorr i gjallë dje. Nën rrënoja dyshohet të jenë ende 5 persona. Nuk dihet ende nëse për ndërtimin e banesës është zbatuar projekt i mirëfilltë inxhinierik sipas standarteve. /Hashtag.al

VINI RE: Video marrë nga A2