Vendosni fjalën kyçe....

Vjedhje spektakolare në Gjermani, hajdutët marrin brenda muzeut 1 miliard dollarë sende të çmuara


Bizhuteri e sende të tjera të çmuara me vlerë 1 miliard dollarë janë vjedhur në një muze në Dresden të Gjermanisë. Hajdutët u futën në ‘Green Vault’ duke grabitur një koleksion të paçmuar xhevahiresh dhe objektesh të shekullit të 18-të.

Policia në Dresden konfirmoi se objekti ishte grabitur në orët e para të së hënës e dyshohet se autorët kishin shkëputur më parë energjinë para se të futeshin brenda nëpërmjet një dritareje.

Policia tha se alarmi ra pak para orës 5 të mëngjesit ndërsa policët ishin në vendin e ngjarjes pesë minuta më vonë.

Një veturë e djegur e gjetur disa kilometra larg nga muzeu ‘Green Vault’ e dyshohet se u përket autorëve, por kjo ende nuk është konfirmuar, tha shefi i policisë.

Zyrtarët e muzeut i përshkruan artikujt e vjedhur si thesare të paçmuara dhe unike, të cilat janë pjesë e trashëgimisë kulturore në botë.

Koleksioni, që shpesh quhet thesari më i madh në Evropë, u krijua nga sundimtari sakson, August I Forti mes viteve 1723 e 1730 dhe përfshin një sërë xhevahirash mbresëlënëse, vepra arti dhe gurë të çmuar. Muzeu ndodhet në dy katet e para të Pallatit Mbretëror.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *