Vendosni fjalën kyçe....

Pesë rastet kur “bëmat” e fisit Rraja tronditën opinionin publik


Rasti i arrestimit të Redjan Rrajës, kushëririt të deputetit Rrahman Rraja, nuk është i vetmi rast përmes të cilit ky fis në Nikël të Fushë Krujës ka tronditur opinionin publik. Deputetit socialist i është dashur disa herë të japë sqarime lidhur me aktet e jashtëligjshme të të afërmve të tij, duke përfshirë këtu edhe të birin, Rexhep Rraja.

Rasti i parë është ai i vrasjes së Elton Çiços. Emri i Redjan Rrajës, me profesion mjek stomatolog, është bërë i njohur për mediat për herë të parë, pas akuzave se kishte prishur provat në vrasjen e Elton Çiços, i cili u qëllua për vdekje me dy plumba më 1 Maj të 2016-ës, rreth orës 22:20.

Edhe pse akuzohej për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” në ngjarjen ku mbeti i vrarë miku i tij, Rraja u dënua nga Gjykata e Tiranës vetëm me 8 muaj burg.

Elton Çiço

Rasti i dytë është skandali i rastit të Xhisiela Malokut. Kjo e fundit akuzonte ish-të dashurin e saj Rexhep Rraja, djalin e deputetit Rrahman Rraja se ai e kishte dhunuar. Por kur opinioni publik u vendos në mbrojtje të saj, Maloku i tërhoqi akuzat duke i ardhur në mbrojtje ish-të dashurit.

Përpara se të tërhiqte akuzat kundër të dashurit Rexhep Rraja, në dëshminë e saj Maloku shprehej se kushërirët e të dashurit, Redjan dhe Ramazan Rraja e kishin nxjerrë me forcë nga komisariati.

Edhe oficeri Emiljano Nuhu e përmendi emrin e Redjan Rrajës si një prej nipërve të deputetit Rraja që e kishte kërcënuar për shkak të hetimeve që po kryente pas denoncimit të shtetases Xhisiela Maloku. Prokuroria e hetoi për rreth 10 muaj këtë çështje për kërcënimin e oficerit të policisë, por e pushoi çështjen pasi nuk u provua dot kërcënimi i oficerit.

Ndërkohë djali i deputetit, Rexhep Rraja, i cili ishte akuzuar për dhunë u lirua pas vetëm pak javësh në burg. Ai e quante arrestimin e tij politik. Edhe pse prokuroria kishte kërkuar 1 vit burg për të riun, me akuzën e dhunës dhe përndjekjes ndaj një vajze të re në Fushë-Krujë, gjyqtarja e ka dënoi me vetëm 1 vit shërbim prove. 

Rexhep Rraja

Rasti i tretë – Pasi kjo histori u ftoh, në rrjet qarkulloi një video ku një grua po dhunohej në mes të kryeqytetit, fare pranë QSUT-së. Për më tepër një efektive policie ndodhej shumë pranë dhe pavarësisht kësaj, nuk ndërhynte për të ndarë dy personat.

Personi që shfaqej në video ishte Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist, Rrahman Rraja. I njëjti person që u përfol edhe në rastin e Xhisiela Malokut, se sëbashku me Redjan Rrajën e kishin nxjerrë atë me forcë nga komisariati.

Policia zbuloi se ngjarja ka ndodhur më 31 korrik, në orët e para të mëngjesit, duke pranuar se kishte heshtur prej 3 ditësh për kërë rast. Ndërkohë që efektivja u pezullua nga detyra, nipi i deputetit socialist, ka shpëtuar me vetëm një procedim.  

Rasti i katërt – Pas disa muajsh në heshtje, të hënën e parë të nëntorit u vodh filiali i Postës së Krujës, ku u grabitën 11 milionë lekë. Do thoni se ç’lidhje ka kjo me fisin Rraja? Epo drejtori i Postës është pikërisht vëllai i deputetit, Xhelal Rraja.

Dje kishte nisur puna për shpërndarjen e parave dhe dyshohet se autorët janë qenë në dijeni të kësaj, e madje kanë ditur vendin ku ndodhej kasaforta. Policia ka vënë në pranga rojën private, Besnik Parruca i cili akuzohet për veprat penale “Moskallzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”. Sipas policisë, 51-vjeçari nuk ka njoftuar për vjedhjen me thyerje të kasafortës së Postës së Krujës.

Çuditërisht, grabitja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës pikërisht kur sapo ishte ndërperë energjia elektrike në gjithë qytetin.

Posta në Krujë

Rasti i pestë – Sot arriti kulmi, ku një nga personat e përmendur disa herë më lart, Redjan Rraja arrestohet nga forcat e policisë për një ngjarje të rëndë – atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji, mikut të tij Landi Muharremi (një person me precedent penal) dhe shoferit Andi Maloku, të cilët mbetën të plagosur.

34-vjeçari Redjan Rraja, dyshohet se është identifikuar nga gjurmët e ADN-së të mbetura në makinën e dyshuar të autorëve që u gjet e braktisur në zonën e Shkafanës, ditën kur ndodhi atentati në mbikalimin e Shkozetit. Ai është ndaluar, ndërsa largohej nga Shqipëria përmes Hanit të Hotit.

Të premten e 1 nëntorit, në orën 16:30, prokurori Arjan Ndoji, shoferi i tij Andi Maloku, dhe miku i tij Aleksandër Laho (Landi Muharremi), mbetën të plagosur pas një atentati me armë. Rraja e ka mohuar që ai është i përfshirë në atentatin ndaj prokurorit apo të ketë dijeni për të./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *