Vendosni fjalën kyçe....

Mjeku shqiptar hyn në histori, pjesë e ekipit që kreu transplantin e parë të dyfishtë të mëlçisë dhe mushkërive


Robert Sheahan së bashku me dy mjekët Emir Hoti (majtas) dhe Lars Nölke (djathtas)

Një shqiptar është një nga dy mjekët që kanë kryer të parin transplant të dyfishtë të organeve të mëlçisë dhe mushkërive në Irlandë.

Bëhet fjalë për mjekun Emir Hoti, djali i kirurgut nga Shkodra, Ferid Hoti.

Hoti së bashku me mjekun tjetër Lars Nölke, i kanë shpëtuar jetën një 29-vjeçari duke kryer ndërhyrjen e vështirë, të parën e këtij lloji në Irlandë.

Personi i parë në Irlandë që i është nënshtruar një transplantimi të dyfishtë të mëlçisë dhe mushkërive, falë dhurimit të organeve, quhet Robert Sheahan dhe është 29 vjeç.

Ai iu nënshtrua operacionit të gjatë dhe të ndërlikuar të transplantimit në qershor dhe tani është drejt shërimit.

Sheahan ka falenderuar dhuruesin e organeve dhe familjen e tij, duke thënë se ai nuk do të ishte këtu sot pa ta.

Duke folur në “RTÉ’s Today” me Sean O’Rourke, Sheahan tha që u zgjua pas operacionit në ditëlindjen e tij të 29-të i rrethuar nga familja e tij.

Sheahan, i cili u diagnostikua me fibrozë cistike që foshnjë, tha që ai kurrë nuk i ndjeu efektet e sëmundjes deri në mesin e të 20-ave.

Ai tha se mundësia e një transplanti të mëlçisë ishte diskutuar para se të pësonte një numër kolapsesh të mushkërive midis korrikut dhe dhjetorit 2018.

Ai tha që u bë i varur nga oksigjeni dhe kishte lëvizshmëri të kufizuar. U kuptua shumë shpejt, se ai nuk do të mbijetonte dot pa të dy transplantimet.

Sheahan tha që ai nuk u mendua shumë për faktin se ai ishte i pari në vend që i nënshtrohej një transplantimi të dyfishtë të mushkërive dhe mëlçisë, sepse ai dhe ekipi i tij po përpiqeshin për të.

Dy ekipe transplantimi kirurgjikale, një nga Njësia Kombëtare e Zemrës dhe Mushkërive në Spitalin Mater dhe një tjetër nga Njësia Kombëtare e Transplantimit të Mëlçisë në Spitalin Universitar St Vincent, kanë punuar rreth dhjetë orë gjatë procedurës.

29-vjeçari tha se e dinte që ishte në duar të mira sepse kishte zhvilluar bisedime të gjera me ekipet mjekësore përpara operacionit.

“Unë kisha pasur shumë takime me mjekë, kirurgë, anestezistë, infermierë. Ne diskutuam aq shumë paraprakisht sa nuk mendoj se kam pasur ndonjëherë me të vërtetë një shqetësim të tillë që ky rast ishte i pari”, tha ai.

“Kështu që, unë do të doja të shfrytëzoja këtë rast për të falënderuar absolutisht dhuruesin dhe familjen e dhuruesit, pa vendimin e tyre shumë të rëndësishëm, nuk do të isha këtu sot.”, shton i riu.

Sheahan tha se ka shumë më tepër energji, po ha mirë dhe së fundmi ka filluar përsëri të drejtojë makinën. Ai tha se gjithashtu shpreson të kthehet në palestër në dhjetor.

29-vjeçari u bëri thirrje të gjithëve që të konsiderojnë dhurimin e organeve duke thënë se kjo shpëton jetë.

Lars Nölke, shefi i Njësisë së Transplantimit të Zemrës dhe Mushkërive në Spitalin Mater, tha se bisedat midis dy ekipeve mjekësore ishin zhvilluar disa javë para operacionit.

Ai tha se kur erdhi dhuruesi i organeve, mori në telefon Emir Hotin, i cili është Drejtor i Programit Kombëtar të Transplantimit të Mëlçisë në Spitalin Universitar të St Vincent, për ta pyetur nëse do ta provonin.

Hoti tha që procedura filloi ashtu siç ishte planifikuar dhe nuk kishte probleme gjatë operacionit.

Ai tha që në kohën kur ishte duke përfunduar, Nölke ishte gati të merrte përsipër transplantimet e mushkërive.

Mjeku Nölke shtoi se ndërsa po bëhej transplantimi i mëlçisë, ai po transplantonte zemrën nga i njëjti dhurues në sallën ngjitur.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e R/ Përshtati në shqip Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *