Vendosni fjalën kyçe....

Qytetarët dhe arkeologët zbulojnë Durrësin e antikitetit të vonë


Nga Geri Emiri

Disa nga familjet durrsake kanë hapur dyert e shtëpive të tyre, duke i ofruar oborret arkeologëve, të cilët po zbulojnë detaje mjaft të rëndësishme mbi antikitetin e vonë të qytetit. Dashamirësia e durrsakëve mbi arkeologjinë dhe zbulimet e reja shkon deri aty sa ata pranojnë të japin pjesë nga oborret e shtëpive të tyre, për t’i kthyer në një atraksion për turistët.

Ditë e premte. Në lagjen 11 të qytetit nuk duket këmbë njeriu nën diellin përvëlues të orës 12. Duke ecur nën tabelën “Rruga Mustafa Varoshi”, arkitekti Mikel Nushi prin midis disa tavolinave të një bari, nga ku na shoqërojnë disa vëzhgime pensionistësh.

Befas merr majtas dhe pasi shkund derën e ndryshkur, mbajmë këmbët gozhdë! Ja hodhëm për pak. Nxitimi për t’i ikur vapës mund të na kishte hedhur 17 shekuj pas në kohë. Jemi me fat! Arkeologët e rinj që po përfundojnë studimet për arkeologji në Universitetin e Tiranës dhe punëtorët kanë pastruar me delikatesë zbulimet arkeologjike të dala, pasi hoqën me kujdes shtresat e dheut.

3 pllaka prej balte duken të plota, vendosur me kujdes pranë njëra-tjetrës, me përmasa 60 cm. Dallohet një mur që ndan dy ambiente dhe ruan mbetje të llaçit hidroizolues. Prania e ujit aty në të kaluarën është aq e padiskutueshme sa edhe fakti se zbulimet i përkasin të paktën shekullit IV të Erës Sonë.

Një kanal ndërtuar me tulla tregon për kalimin e ujit shekuj më pas, pasi ambienti u ripërdor. Gjurmë trarësh dëshmojnë se rreth shekullit VII aty është ngritur një çati, me sa duket për banim.

Gërmimi që dëshmon për zhvillimin e qytetit në periudhën e antikitetit të vonë, po realizohet në oborrin e familjes durrsake Spiru. Gentiani, trashëgimtar i familjes, shprehet se në fillim ishte skeptik për lejimin e gërmimit, me frikën se nëse do të zbulohej diçka, do të pengonte zhvillimin e pronës.

Një stepje që e ka çdo familje në qytet, por pa arsye, për sa kohë që çdo ndërtim i ri sipas ligjit e kërkon kontrollin arkeologjik të nëntokës.

“Por duke e menduar pastaj me qetësi, thash të jepja edhe unë kontributin tim qytetar, në promovimin e vlerave të arkeologjisë që ka qyteti i Durrësit”, shpjegon qetësisht Gentian Spiru për Portën Vendore. Ai vijon traditën e familjeve durrsake, ku më herët babai i tij, në vitin 2004 kontribuoi së bashku me familje të tjera për rikonstruksionin e fasadave të godinave përgjatë bulevardit të qytetit.

Ora po kalon dhe arkeologët që e nisin ditën sapo agon dielli, e ndalojnë punën në orën 2 të drekës. Arkitekti i ri Mikel Nushi, pasi ka ndaluar për ne skicimin e zbulimeve, na prin përsëri. Gjarpëron midis rrugicave të lagjes ku është rritur. Përballë shtëpisë së familjes Nushi, dykatëshe, me arkitekturë të spikatur për fillim vitet 1900, gjendet banesa e familjes Mima. Dikur një pjesë e mirë e lagjes ka qenë në pronësi të anëtarëve të kësaj familje.

Pasi kapërcejmë mbi disa parafango veturash që kanë zënë derën, futemi në oborr. Dera e banesës njëkatëshe është hapur dhe në korridorin e ngushtë janë vendosur stivë qeset ku gjendet pasuria e qytetit. Copëza qeramike, materiale prej metali, monedha, zbukurime, mbetje njerëzore, presin të transportohen më vonë në muze. Me afrimin e dimrit nis studimi i tyre në zyrat e ngushta të muzeut. Pasi përshëndesim zonjën e shtëpisë, ecim në një bahçe mbjellë me domate dhe speca.

Deri më tani nuk duket asnjë hapësirë gërmimi. Ankthi shtohet se mos jemi vonë dhe gjithçka ka mbaruar me qeset e stivosura në banesë. Rruga ngushtohet ca. Një vendstrehim i viteve’ 70-80 të merr vëmendjen dhe ca litarë të trashë që të ngjeshen në gjoks vendosin kufirin te thana!

Me të ulur shikimin 4 metra nën nivelin e rrugës, shfaqet një strukturë e pa hasur më parë në qytetin e Durrësit. Ne shohim strukturën, e stafi i gërmimit na sheh ne. Heshtje për disa sekonda. Arkeologia Brikena Shkodra-Rrugia sheh përtej strukturës me harqe të zbuluar rishtas. Ajo është “arkitektja” e këtyre zbulimeve që vijnë si një projekt i Institutit të Arkeologjisë.

Uji!!! Jo për të pirë. As uji që ndërmarrja e ujësjellësit mburret se do e sjellë 24 orë në qytet. Dikush ja paska dalë shumë herë më mirë 1700 vjet më parë, duke e shpërndarë atë në qytet. Por mbi tokë! Atmosferën magjepsëse e thyejnë burrat që po punojnë poshtë dhe kërkojnë të mos i zgjasësh shumë këmbët buzë gropës së hapur, se nuk kanë kusur të durojnë guriçkat që i bien mbi kurriz.

Pa humbur kohë, arkeologia Shkodra-Rrugia ndan me ne lajmin se për herë të parë në Durrës, madje në Shqipëri është gjetur një strukturë me harqe, që mendohet se ka shpërndarë ujë në qytet. Deri më sot njihej ujësjellësi që vinte nga fshati Rromanat, mbi një strukturë me harqe që e sillte ujin deri në muret e qytetit, për tu shpërndarë më pas me tuba nëntokësor prej plumbi. I dokumentuar është edhe një ujësjellës që vinte nga kodrat e qytetit, në veri-perëndim.

Por uji po zbulon një lagje të panjohur më parë! Që prej vitit 2016, Brikena diskuton me familjet durrsake që të ofrojnë oborret e tyre për gërmime arkeologjike, që pas dokumentimit të gjetjeve, mbulohen përsëri me kujdes.

Përballë zbulimit të radhës të arkeologes Brikena Shkodra-Rrugia, gjendet shtëpia në oborrin e së cilës u zbulua mozaiku më i vjetër në Shqipëri, që i përket shekullit IV Para Erës Sonë. Pagëzuar me emrin “Bukuroshja e Durrësit”, mozaiku u zbulua në vitin 1916 nga arkeologu austriak Camillo Praschniker.

Akullin e çau familja Dakoli. Luli, një zonjë rreth të 60-ve ra dakord e para dhe gërmimi nxori në dritë ambientin e një terme (banjë publike), hipokaustit (sistemi i ngrohjes së ujit) të saj dhe dyshemeja e një pishine e dërguan larg hamendësimin, tek një monument i madh publik, investim perandorak.

Muret që mbanin ujin ishin 1.2 metra të gjerë dhe deri më sot nuk njihej burimi i furnizimit me ujë të termës publike. Zbulimi i fundit hedh dritë nëse struktura me harqe prej tullash, me një kanal uji që kalonte mbi të, furnizonte me ujë termën publike dhe pishinën. Edhe pak e dolëm në bulevardin e qytetit! Nën themelet e ish-kinemasë “Iliria”, rreth viteve 2000 u zbulua një statujë mahnitëse, që sot të uron mirë se ardhjen në hyrje të Muzeut Arkeologjik Durrës.

Skulptura u identifikua si Gea, që bënte pjesë në kultin e krijimit të njeriut. Edhe ambienti aty ka gjurmë të një terme. Mbi të u ndërtua një monument i një funksioni tjetër, godinë banimi disakatëshe, e së fundmi pranë termës së zbuluar në vitin 2016, përfundoi ndërtimi i një tjetër godine disakatëshe, themelet e së cilës do kenë konkurruar fort me strukturat arkeologjike.

Drejtoria e Kulturës në Durrës, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, janë informuar zyrtarisht nga media Amfora.al, por askush nuk luajti as gishtin e vogël për ndërtimin e paligjshëm në zonën Arkeologjike A.

Një pjatë! Ruhet gjysma e saj. “Kostandin Anastas Mima Dyrrachion”. Shkruar në greqisht, tipike për familjet e besimit ortodoks në kohën e Perandorisë Osmane. Ndoshta i përket gjysmës së dytë të viteve 1800. Pak rëndësi ka, krenaria e familjes Mima është në kulmin e saj. Bën mirë që nën hijen e pemëtoreve të dëgjosh zonjën teksa flet për historikun e familjes aristokrate.

Duket sikur nëntoka e qytetit dhe arkeologia Brikena Shkodra-Rrugia po i respekton për besimin e dhënë familjet e Durrësit. Ato prej 4 vitesh kanë çelur banesat e tyre për të njohur qytetin kryesisht në antikitetin e vonë. Sikur të mos i kishin grabitur për të ndërtuar objekte të reja, do kishim më shumë se dy harqet për transportimin e ujit të zbuluara në bahçen e familjes Mima.

Arkeologia Brikena Shkodra-Rrugia për zbulimin e parë në vitin 2016, në lagjen pranë dy monumenteve të rëndësishme, si termat publike pas teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe Forumit Bizantin, ka kërkuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës ta shpallë monument kulture strukturën e lidhur me termën e antikitetit të vonë.

Kanë hartuar edhe një projekt për ekspozimin dhe ruajtjen e këtij monumenti të rëndësishëm për kryeqendrën e Provincës së Epirit të Ri, por deri më tani kjo kërkesë nuk është marrë në konsideratë, me argumentin se është nëntokë e sipas detyrimit ligjor kërkon mirëmbajtje po të shpallet monument. Projekti për ta kthyer në të vizitueshme kërkon 30.000 euro dhe shteti nuk ka ndërmend të merret. Brikena gjithashtu ka kërkuar sponsor nëpër biznese private, por asgjë deri më tani.

Familja Dakoli pranon të japë tokën e saj, për ta kthyer në një pikë arkeologjike publike për qytetin, që prej disa dhjetëvjeçarësh nuk po ofron asnjë monument të ri për të vizituar. Por dashamirësia e familjeve durrsake dhe profesionalizmi i arkeologëve duket se janë shumë hapa përpara punës së zinxhirit të institucioneve që varen nga Ministria e Kulturës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Portavendore.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *