Vendosni fjalën kyçe....

Aksidentohet makina që po e transportonte në burg, avokati i Izet Haxhisë: Tentuan ta eliminonin


Idajet Beqiri, avokati i Izet Haxhisë, pretendon se është tentuar eliminimi fizik i klientit të tij. Sipas Beqirit, dy ditë më parë Haxhia është dërguar në spital me fraktura në kokë dhe me të vjella.

Ai shprehet se gjatë kohës kur Haxhia po transportohej nga prokuroria drejt burgut të sigurisë së lartë ku ai mbahet, është inskenuar një incident me qëllim për ta eliminuar.

Lidhur me këtë ai akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi Haxhia ka bërë akuza të rënda ndaj tij.

“Izet Haxhiaj, pasi ka deponuar plotë 4 ditë me radhë për 25 orë të qendrimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë kundër krimeve të kryera nga Sali Berisha për periudhën 1991-1999, në datën 09.10.2019, kur është shoqëruar për të vazhduar deklarimit dhe për të paraqitur provat dhe faktet për çdo akuzë, makina që e shoqëronte ka bërë ‘aksident’, duke u përplasur.

Izet Haxhiaj ka pësuar fraktura në kokë, ka patur të vjella dhe është çuar me urgjencë në Spital… Për katër ditët që Izet Haxhia ka dhënë deklarimet e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas kallëzimit penal të bërë prej tij kundër Sali Berishës në muajin dhjetor 2018, bota e krimit është aktivizuar me një egërsi të paimagjinueshme, sidomos në rrjetet sociale, kundër Izet Haxhisë, njerëzve më të afërt të tij si dhe mbrojtësve ligjor të tij.

Strukturat e shtetit, institucionet përkatëse ligjzbatuese, megjithëse i shohin këto reagime, shantazhime, kanosje serioze për vrasje etj, nuk i marrin në mbrojtje, për t’u siguruar jetën, së paku Izet Haxhisë, këtij dëshmitari okular që me prova dhe me fakte të pakontestueshme po denoncon krimet më të rënda që janë kryer prej ish presidentit të Republikës së Shqipërisë Sali Berisha në vitet 1991-1999, duke i sjell vendit dhe familjeve shqiptare plagë të rënda dhe tragjike.

Në kushtet e mësipërme mbrojtësi ligjor i ka rekomanduar Izet Haxhiaj ndërprerjen e menjëhershme të deklarimeve të tij para Prokurorisë së Krimeve të Rënda kundër Sali Berishës, derisa të marrim garancitë e plota nga institucionet ligjzbatuese të shtetit shqiptar për jetën e tij dhe të njerëzve të afërt të tij.”, tha Beqiraj. Ai foli dhe në një lidhje të drejtpërdrejtë me “News 24”, ku tha se Haxhia është këshilluar me të se çfarë duhet të bëjë në vazhdim sepse ka frikë për “jetën e tij dhe të familjarëve të tij”.

Izet Haxhia është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdarit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *