Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj i përgjigjet Braçes: Pse nuk e përmend emrin e bandës që i shërben prokurori i Durrësit


Enkelejd Alibeaj ka deklaruara pas kërcënimit që i bëri sot zv.kryeministri Erion Braçe, për ta çuar në gjykatë sepse kishte thënë se ai kishte lidhje të afërta familjare me ish-kreun e Kadastrës së Durrësit, Liridon Pulajn.

Alibeaj tha se nuk ka rëndësi nëse Braçe ka apo jo lidhje familjare me Pulajn, por se ai dhe kryeministri i kanë bërë presion gjykatës për ta liruar.

“Sot shqiptarët kanë parë me zë dhe figurë sesa e pafuqishme është qeveria e Edi Ramës për të luftuar me të vërtetë bandat dhe zyrtarët e lidhur me to. Nëpërmjet qëndrimeve burracake të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, shqiptarët panë sot një qeveri që ka frikë t’i përmendë emrin një bande për llogari të së cilës, si Edi Rama dhe Erjon Braçe denoncuan se punon prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.

Dhe ju e dini fare mirë se cili ka qenë qëndrimi i Partisë Demokratike në kohë për prokurorin në fjalë.

Ajo që presin sot qytetarët shqiptarë nuk është a ka Erjon Braçe lidhje gjaku me drejtorin e arrestuar të Kadastrës. Kjo nuk ka pikë rëndësie për çështjen në fjalë.

Dje dhe sot, Erjon Braçe, bashkë me Edi Ramën, i bënë presion drejtësisë në sallën e gjyqit për të mbrojtur një zyrtar të emëruar nga vetë ata dhe që akuzohet për shpërdorim detyre nga një prokuror, që është në shërbim të bandave të Durrësit- citoj kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin e vendit.

Ajo që prisnin sot shqiptarët nuk ishte refreni i propagandës bajate se “fajin e ka opozita”. Shqiptarët prisnin sot, që Edi Rama të bënte kryeministrin dhe të kërkonte arrestimin e prokurorit që i shërben bandave, si dhe nxjerrjen para drejtësisë të këtyre bandave, të cilat ai i njohka, por nuk ua përmend emrin. “, tha Alibeaj.

Ish-deputeti tha se kryeministri Edi Rama duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve, mes të cilave i kërkon të përmendë emrin e bandës që prokurori Arjan Ndoja i shërben.

“Është urgjente që Edi Rama të përgjigjet për disa pyetje që sot ia bën çdo shqiptar.

  1. Cilës bande të Durrësit i shërben prokurori Arjan Ndoja?
  2. Prej sa kohësh Edi Rama është në dijeni të faktit që Arjan Ndoja punon për bandat dhe jo për shtetin?
  3. Pse heshti Edi Rama dhe Erjon Braçe deri më sot dhe nuk dolën përpara se të arrestohej njeriu i tyre në Kadastrën e Durrësit?
  4. Pse nuk e arreston prokurorin që i shërben bandës dhe bandën që mbështet prokurorin?

Këtyre pyetjeve Edi Rama duhet t’u japë përgjigje menjëherë. Pjesëmarrja e paprecedente e një zëvendëskryeministri në një seance gjyqësore dhe shantazhi publik nuk i shërben as ligjit, as të vërtetës, as drejtësisë. Ajo është vetëm propagandë që mbron bandat, me të cilat Edi Rama blen vota dhe mban në këmbë pushtetin e tij. “, deklaroi Alibeaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *