Vendosni fjalën kyçe....

Arbjan Mazniku: Nuk u rakorduam dot prandaj faturat për mua dhe dhëndrin e Xhafajt i pagoi Fusha


Ditën e djeshme nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku u thirr në Prokurori lidhur me faturat e hotelit që deklaroi se ia ka paguar biznesmeni Shkëlqim Fusha, kompania e të cilit ka fituar pjesën dërrmuese të tenderave të bashkisë së Tiranës.

Birn” ka zbardhur deklarimet e djeshme të Maznikut duke iu referuar burimeve nga Prokuroria. Krahu i djathtë i Erion Veliajt, Mazniku, ka deklaruar përpara oficerit të policisë gjyqësore se “pagesa është kryer prej Fushës për shkak të ‘mosrakordimit’ të bashkisë për mbulimin e shpenzimeve të akomodimit.”

Sipas gazetës, Mazniku ka deklaruar se përveç akomodimit të tij, biznesmeni Shkëlqim Fusha ka paguar edhe akomodimin e drejtorit të Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë Tiranë, Ditjon Baboçi, i cili është dhëndri i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Arbjan Mazniku është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi ngjarjen, pasi Prokuroria e Tiranës ka nisur hetim për veprën penale të shpërdorimit të detyrës lidhur me pagesën për akomodimin e disa zyrtarëve dhe punonjësve të Bashkisë Tiranë nga një subjekt privat”, tha një prokuror me dijeni të dosjes.

Kompania “Fusha Sh.p.k” është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të bashkisë së Tiranës, e cila vetëm gjatë 4 viteve të fundit ka përfituar mbi 28.6 milionë euro në fonde publike nga ky institucion. Ndër tenderat që ka fituar kjo kompani, përmendim atë të “Sheshit Skënderbej”.

Ditën e djeshme, të tjera akuza u publikuan nga PD lidhur me rastin e faturave të hotelit me 5 yje në Barcelonë. Ish-deputetja Dhurata Çupi tha se Veliaj ka mashtruar opinionin publik për lekët e udhëtimit në Barcelonë, kur deklaroi se Bashkia nuk ka paguar me fonde të bashkisë për udhëtimin në Barcelonë.

Sipas Partisë Demokratike, që tregon dokumentet e Agjencisë së Prokurimit Publik, Bashkia ka paguar mbi 9 milionë lekë për udhëtimin në Barcelonë, ku ka marrë pjesë jo vetëm nënkryetari në hetim i Bashkisë së Tiranës, por edhe Kryetari Erion Veliaj./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *