Vendosni fjalën kyçe....

KPK shkarkon gjyqtaren e Apelit të Krimeve të Rënda, Dhurata Haveri


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra Gjykatësen e Apelit të Krimeve të Rënda, Dhurata Haveri.

Vendimi për largimin e saj nga detyra është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici, Xhensila Pine dhe Suela Zhegu.

Vetë gjyqtarja nuk ka qenë e pranishme në seancën ku u dha vendimi për shkarkimin e saj, për të cilin shkak kryesor u bënë problemet me pasurinë.

Pavarësisht raportit pozitiv të ILDKPKI, Komisioni i mbylli hetimet për gjyqtaren Haveri vetëm për kriterin e pasurisë. Sipas relatores Suela Zhegu, gjatë hetimit administrativ janë konstatuar mungesë burimesh të ligjshme si dhe mospërputhje mes deklaratave dhe pasaktësi.

Probleme janë hasur mbi burimin e një apartamenti me sipërfaqe 140 m2 në Tiranë, blerë në vitin 2003 për 69 300 euro. Si burim të krijimit, gjyqtarja Haveri ka deklaruar të ardhurat nga pagat, ato të përfituara nga shitja e një apartamenti tjetër në Shkodër dhe një kredi.

Relatorja Zhegu tha se apartamenti në Shkodër është shitur në 28 qershor të vitit 2004 në vlerën 2 milionë lekë, ku bashkëshorti i Haverit ka qenë bashkëpronar me 1/5 pjesë takuese.

Aj tha se Komisioni ka konstatuar se nuk ka pasur akt dhurimi të pjesëve takuese nga ana e familjarëve të bashkëshortit të gjyqtares Haveri dhe për pasojë nuk është vërtetuar se janë përfituar 2 milionë lekë prej kësaj shitjeje.

Komisioni ka konstatuar gjithashtu mungesë të ardhurash për të paguar këstet e një kredie si dhe dokumentacioni për një hua prej 15 mijë eurosh.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *