Vendosni fjalën kyçe....

Saimir Tahiri: 2 vjet heshta, disa nuk mu ndanë nga fyti


Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka dalë sot në një konferencë për mediat, ku ka komentuar vendimin e gjykatës për ta dënuar atë me 3 vjet shërbim prove. Tahiri tha se gabim i tij i vetëm ishte që kishte folur publikisht për problemin e kanabizimit në vend.

“Pas dy vitesh hetime, heshta për respekt të drejtësisë.

E bëra këtë duke ditur edhe sakrificën më të madhe dhe padiskutim përballë akuzave dhe gënjeshtrave që bien mbi kurrizin tim, e po të shtosh këtu se ata kanë shfryrë fantazinë e tyre me shpifje për mua lart e poshtë.

Heshta i bindur dhe në respekt të drejtësisë. E lashë mandatin e deputetit vullnetarisht. E kisha kollaj ta mbaja. Fundja siç kanë bërë ata të tjerët para pa asnjë përjashtim.

Unë bëra të kundërtën, e lashë mandatin e deputetit. Edhe pse vetëm drejtësi për mua nuk do kishte. Ku radha e servilëve dhe shushunjave vetëm shtohet e shtohet. Unë u përballa si qytetar i thjeshtë me të gjithë, me drejtësinë dhe politikën.

Nuk mu ndanë që nga dita ime e parë në politikë. Ca që heshtin a thua se unë nuk kam jetuar kurrë, dhe mirë bëjnë fundja. Ca të tjerë që nuk mu ndanë nga fyti me sulme që nga dita e parë që i hyra kësaj punë e deri sot. Mirë kanë bërë se puna dallohet nga cilësia e armiqve që ka. Me këtë rrugë do edukoj fëmijët e mi, vetëm për të vërtetën time, për asgjë tjetër.

Më akuzuan për pjesëmarrje në organizatë kriminale, për trafik droge, më akuzuan se harxhova për fushatë elektorale 20 mijë euro në muaj. Gjykata italiane e tha qartë se Saimir Tahiri nuk ka asnjë lidhje me ato akuza. Pas asaj italiane edhe ajo shqiptare e konfirmoi se nuk kam asnjë lidhje me trafikun e drogës.

Nuk kam patur asnjë telefonatë me asnjë të dënuar, asnjë komunikim në këto dy vjet, se policia gjatë kohës që unë kam qenë në detyrë ka bërë detyrën dhe i ka akuzuar ata.

Unë nuk i thashë kurrë në publik, deri ditën që u mbrojta në gjykatë, dhe këtë e bëra në respekt të drejtësisë.

Kush mendon që kanabis kishte vetëm në Lazarat, gabohet rëndë. Dhe jo se e them unë, por sepse e vërteta është aty, në dokumentat e policisë dhe prokurorisë.

Unë bëra vetëm gabimin e madh që e thash publikisht, e luftova publikisht në çdo cep të shqipërisë, duke e ditur sesa më shumë ta luftoja atë fenomen, aq më shumë do dilte në publik përmasa e vërtetë e fenomenit., tha Tahiri.

Tahiri akuzohej për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Mirëpo gjykata e shpalli ish-ministrin Tahiri të pafajshëm për dy akuzat e fundit dhe fajtor vetëm për njërën akuzë, atë për “korrupsion”.
Gjykata e dënoi atë me 5 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfiton uljen e një të tretës së dënimit, duke e reduktuar atë në 3 vjet e katër muaj burg.

Por përsëri Tahiri nuk do të kalojë asnjë ditë në qeli, pasi gjykata ka vendosur të pezullojë ekzekutimin e dënimit të tij me burg, duke e lënë në shërbimin e provës për një periudhë 3-vjeçare./Hashtag.al