Vendosni fjalën kyçe....

Hidhet në lumë për të shpëtuar foshnjën, polices së re ‘i vërsulen’ meshkujt në rrjetet sociale


Një police në Britani është cilësuar heroinë pasi u hodh në lumë për të shpëtuar jetën e një foshnje, por më pas u bë “pre” e meshkujve në rrjetet sociale.

Jessica Voiels mori një telefonatë se foshnja 11 muajsh kishte rënë në lumin Irwell në Radcliffe, Manchester. Foshnja Zakari Bennett-Eko, dyshohet se ishte hedhur në lumë nga babai i tij, të mërkurën pasdite.

Voiels e nxori foshnjën nga uji, dhe më pas Zakari u dërgua në spital me ambulancë. Por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte. Nëna e 24-vjeçares Julie Mçormick tha: “Ajo u hodh në lumë për të provuar të shpëtonte fëmijën. Ishte e tmerrshme.”

Por përveçse mori komente pozitive për veprimin heroik, 24-vjeçarja u bë pre e ngacmimeve të meshkujve në rrjet, të cilët e bombarduan me mesazhe që e komplimentonin për pamjen e jashtme.

Një faqe bëri një postim për Voiels me këtë mesazh: “Shpërndajeni këtë. Jessica Voiels, 24 vjeçe u hodh në lumin Irwell për të shpëtuar fëmijën Zak. Pavarësisht përpjekjeve, ajo nuk e gjeti dot.” Postimi shoqërohej me një fotografi të Jessicës me uniformë policie.

Nga këtu burrat nisën të komentonin: “Atëherë, nëse dua që të hidhem në lumë dhe të marr frymëmarrje gojë më gojë, atëherë Manchesteri është vendi i duhur.”

Një tjetër shkruante: “Unë ndjej se duhet ta takoj dhe ta falënderoj personalisht, ndoshta t’i jap një përkëdhelje dhe të shoh se si do ecë.”

Sipas mediave britanike, për këtë arsye, policja e re u detyrua të fshijë llogarinë personale në Twitter.