Vendosni fjalën kyçe....

Atentat ndaj presidentit afgan, vriten 24 civilë


Të paktën 24 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, pasi një bombë e vendosur pranë një automjeti sigurie shpërtheu pranë një mitingu fushate kur merrte pjesë presidenti afgan, Ashraf Ghani, në një përpjekje për eliminimin fizik të tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi të martën pasdite në qytetin verior të Charikarit në Afganistan, teksa presidenti Ghani mori fjalë përpara njerëzve të mbledhur.

Ghani nuk u lëndua në shpërthim dhe u mor me shpejtësi nga shoqëruesit që e çuan në një vend të sigurt.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin, por kjo vjen pasi talebanët vazhdimisht kërcënuan të rifillojnë sulmet ndaj forcave afgane dhe mbështetësve të tyre perëndimorë, pas bisedimeve të dështuara të paqes me SHBA-në.

Të planifikuara për 28 Shtator, zgjedhjet presidenciale të këtij viti janë shtyrë dy herë me frikën e sulmeve të profilit të lartë ndaj zyrtarëve të vendit. Ghani, një ish-ekzekutiv i Bankës Botërore, është duke bërë një përpjekje për të mbetur në pushtet për një mandat tjetër.

Konkurrenti i tij më i fuqishëm është ish-muxhahedini, Gulbuddin Hekmatyar, që drejton partinë Hezb-e-Islami, i cili e konsideron qeverinë Ghani të mbështetur nga perëndimi si një “pengesë” kryesore për paqen në Afganistan.