Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja në Myslym Shyr – Dy vëllezërit Kusi të akuzuar dhe për vrasje e atentate të mëparshme


Dy vëllezërit e shpallur në kërkim për vrasjen e 26-vjeçarit Indrit Çela, nuk janë persona të panjohur për policinë.

Albano dhe Griseldo Kusi, rezultojnë të përfshirë në ngjarje kriminale, si vrasje, plagosje dhe tentativë vrasjeje.

Albano Kusi

I pari akuzohet për vrasjen e Shkëlqim Nozlli më 16 tetor 2010. Trupi i viktimës në atë kohë u gjet dy ditë më vonë, në Qafë Kërrabë.

Sipas policisë, shkak i vrasjes ishte një borxh i papaguar mes viktimës dhe Kusit, si dhe pazaret për blerjen e dy pistoletave, në të cilën ishin përfshirë dhe dy punonjës policie. Borxhi i papaguar prej 650 eurosh ishte bërë shkak për konfliktin e Kusit me Nozllin.

Ky i fundit u kishte premtuar dy punonjësve të policisë shitjen e dy pistoletave nga 1 mijë euro secila. Sipas vendimit të masës së sigurisë ditën e ngjarjes, Nozlli ka takuar policët.

Në zbardhjen që i bën “Balkanweb“, thuhet se pasi u ka treguar njërën nga pistoletat ai u ka marrë atyre shumën e 1750 eurove. Më pas u ka thënë se do të takonte kushëririn e tij Kusin për të marrë pistoletën tjetër. Sipas hetimeve, Nozlli ka takuar Kusin dhe me anë të një taksie kanë udhëtuar drejt Qafë-Kërrabës, ku pas dy ditësh Nozlli u gjend i vdekur. Gjatë deklarimeve në polici, Kusi ka pranuar se ka qenë ai autor i vrasjes së Nozllit, të cilin pretendon se e kishte të afërt.

Ditën e ngjarjes ata janë takuar së bashku dhe kanë shkuar në Kërrabë, pasi viktima i ka thënë Kusit se atje do të gjente shumën e parave për t’ia kthyer. Gjatë rrugës, Kusi pretendonte se viktima ia ka dhënë paratë. Më pas, kur kanë arritur në Kërrabë viktima i ka marrë Albanos një pistoletë që ky i fundit e mbante pa leje për shkak të hasmërive që kishte fisi i tij dhe nën kërcënimin e pistoletës viktima ka kërkuar t’i marrë sërish paratë e dhëna disa çaste më parë.

Kusi pretendonte se gjatë përleshjes, arma është shkrehur pa dashje dhe Nozlli ka rënë përtokë i vdekur, thuhej në vendimin e masës së sigurisë.

Griseldo Kusi

Vëllai i Albanos, Griseldo Kusi, është arrestuar nga policia në vitin 2011, pas një tentative për vrasjen e Maksut Hysit, në fshatin Mnik të Tiranës.

Një vit më vonë, në 2012-ën, Griseldo akuzohet se ka tentuar të vrasë një tjetër person, një 26-vjeçar.

Rasti më i fundit për të cilën akuzohen këtë radhë dy vëllezërit Kusi, është vrasja e teknikut të kondicionerit nga Mallakastra, Indrit Çela.

Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, në vilën e babait të tyre. Çela u qëllua me plumb në kokë, dyshohet se pas një konflikti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *