Piloti rus Damir Yusupov, i cili u detyrua që të bënte ulje urgjente të avionit në një fushë misri afër Moskës, tha se nuk ishte aspak i frikësuar. Kjo sepse nuk kishte kohë për të menduar për këtë.
Një ditë më parë, avioni që ai drejtonte u përplas me një tufë zogjsh çka i solli probleme me motorët.
Një ditë pasi quajt hero Yusupov u tha gazetarëve se rrëzimi i avionit në fushë ishte e vetmja rrugë për të shpëtuar jetën e 233 pasagjerëve në bord.
“Nuk kisha frikë. Kam bërë atë që është dashur të bëhet. Kam ruajtur aeroplanin, pasagjerët, ekipin. Unë mendoj se ai ka qenë vendimi i vetëm. Nuk mendoj se jam hero. Pashë një fushë misri dhe shpresova që të bëj një ulje të butë”, tha kapiteni pilot, citon REL.
Zyrtarët e urgjencës thanë që pas uljes emergjente, 74 persona kërkuan ndihmë mjekësore ndërsa Ministria e Shëndetësisë tha se 23 prej tyre u dërguan në spital. Të gjithë, përveç njërit u lanë të dalin pas mjekimit.
41-vjeçari Damir, është cilësuar si hero jo vetëm nga publiku, por edhe nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili e nderoi atë dhe pilotin tjetër Georgij Murzin me “Urdhrin e Guximit”.
Ai tha se dy pilotët ishin heronj të Rusisë pasi kanë shpëtuar jetën e 233 pasagjerëve duke vepruar shpejt.
Anëtarët e tjerë të ekipit u nderuan me urdhër “Për Kurajo” për punën e tyre të shkëlqyer gjatë uljes urgjente.
Damir Yosupov tha se tani ishte me pushime, ndërkohë që do zhvilloheshin hetimet për përplasjen.