Vendosni fjalën kyçe....

Sulm me armë në kampin stërvitor të rekrutëve rusë, vriten 11 persona


Disa persona të armatosur kanë hapur zjarr dhe kanë vrarë 11 persona në një terren stërvitor ushtarak rus këtë të shtunë.

Agjencia shtetërore e lajmeve Ria raportoi se incidenti ndodhi gjatë një seance stërvitore me armë zjarri, ku dy burra hapën zjarr ndaj një grupi që kishte dalë vullnetar për të luftuar në Ukrainë.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se sulmuesit ishin nga një ish-republikë sovjetike, por nuk dha detaje të mëtejshme.

15 persona të tjerë u plagosën. Incidenti ndodhi në Belgorod të Rusisë, në kufi me Ukrainën.

“Gjatë një sesioni stërvitor me armë zjarri me individë që shprehën vullnetarisht dëshirën për të marrë pjesë në operacionin special ushtarak kundër Ukrainës, terroristët hapën zjarr me armë të vogla mbi personelin e njësisë.”– citon Ria një deklaratë e ministrisë së mbrojtjes.

“Si rezultat i të shtënave, 11 persona mbetën të plagosur për vdekje. 15 persona të tjerë me plagë të ashpërsisë së ndryshme u dërguan në një institucion mjekësor.”– përfundoi deklarata, citon BBC.

Guvernatori lokal tha se asnjë banor i rajonit të Belgorod nuk ishte vrarë apo plagosur në sulm.

Por më vonë, të dielën, njoftuan se tre persona ishin plagosur gjatë sulmeve me raketa në Belgorod City.

Muajin e kaluar presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi mobilizimin e 300 mijë rusëve që kishin kryer më parë shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Urdhri shkaktoi protesta në të gjithë Rusinë dhe një rritje të njerëzve që përpiqeshin të largoheshin nga vendi. Menjëherë pas shpalljes së mobilizimit, një rekrutues ushtarak u qëllua në një zyrë regjistrimi në Siberi.

Javën e kaluar, Putin njoftoi se më shumë se 200 mijë njerëz ishin mobilizuar tashmë dhe ai nuk pa nevojë për mobilizim shtesë.