Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi dhe RTSH ndërpresin transmetimin e mbledhjes së Komisionit të drejtuar nga Albana Vokshi, Grida Duma e transmeton live nga “Facebook”-u i saj (VIDEO)


Vijojnë përplasjet maxhorancë-opozitë lidhur me zhvillimin e mbledhjeve në Komisionet Parlamentare, me të parët që kërkojnë t’i zhvillojnë online dhe të dytët që kërkojnë paraqitjen fizike në zyrat e dedikuara pranë Kryesisë së Kuvendit.

Kuvendi i Shqiperisë ka ndërprerë sot transmetimin e mbledhjes së konstituimit të Komisionit të Shëndetësisë, të drejtuar nga deputetja e PD-së Albana Vokshi.

Në kanalin RTSH Kuvend që paguhet nga taksat e qytetarëve, mbledhja e Komisonit u ndërpre kur zonja Vokshi po shfaqte fotografitë që tregojnë sipas saj dy standardet e maxhorancës: ”mbledhje online për t’i kufizuar hapesirën opozitës dhe mbledhje fizike të qeverisë dhe PS-së pa respektuar masat për pandeminë”.

Po ashtu Kuvendi i Shqipërisë ka fshirë nga faqja zyrtare në “Facebook” mbledhjen e Komisionit të Shëndetësisë, të drejtuar nga opozita.

Megjithatë demokratët e kanë gjetur mënyrën për ta transmetuar vetë këtë mbledhje, me zonjën Grida Duma që filmonte live nga salla.

“Jemi në një nga mbledhjet e Komisionit të Shëndetësisë, ajo që duhej të ishte mbledhje konstituitive. Po ta shikoni ndodhet vetëm pjesa e opozitës në sallë. Sigurisht të gjithë jemi brenda normave të distancimit social. Nuk ka asnjë arsye se përse të mos zhvillohen mbledhjet normalisht në këtë komision dhe në të gjitha të tjerat.

Ka nisur mbledhja duke pasur një lidhje live nga ‘Facebook’-u me RTSH që e ka detyrim ligjor dhe u shkëput menjëherë duke u lidhur me një tjetër komision siç u kanë dhënë urdhrin ata të partisë. Është normale të gjejmë çfarëdo mjeti dhe mundësie për të komunikuar me publikun dhe për të thënë që sot dhe gjithmonë transparenca dhe llogaridhënia nuk do të ndalohet dot për asnjë arsye.”- deklaroi zonja Duma.

VIDEOJA nga mbledhja e Komisionit të Shëndetësisë që u fshi nga faqja e Kuvendit: